Osmani synon shmangien e zgjedhjeve, pavarësisht kërkesës së disa partive

PRISHTINË, 31 tetor/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në takimin konsultues, partitë politike i shprehën qëndrimet e tyre lidhur me mundësinë e daljes nga kriza, por tha se ajo ka kohë deri më 5 nëntor për të vendosur nëse do t’i shpallë zgjedhjet e reja apo do ta mandatojë dikë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, sipas Osmanit, i ka kërkuar që të takohen sërish para 5 nëntorit.
“Kurti ka kërkuar që të më takoj edhe njëherë para se të skadojë afati 10-ditor. Do të vijnë me propozim apo jo është çështje e tyre”, tha ajo.
Osmani tha se partitë mund të duan të mbahen zgjedhje të reja, por aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese e obligojnë atë që të shmangë mbajtjen e zgjedhjeve.
“Aktgjykimet e Kushtetueses thonë që presidentja duhet të bëjë çmos t’i evitojë zgjedhjet. Partitë politike i kanë qëndrimet e tyre, detyrimi i presidentes është tjetër. Atë detyrim unë duhet ta kryej”, tha ajo, duke shtuar se duhet të dëshmojë se ka bërë çmos për t’i shmangur zgjedhjet e reja.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjatë takimit me udhëheqësit politikë e ka shtruar çështjen e procedimit përpara të buxhetit dhe Planit të Rritjes të BE-së, i cili duhet të ratifikohet në Kuvend, në mënyrë që vendi të mund t’i përfitojë 800 milionë eurot e ndara nga Brukseli.
Sa i përket buxhetit, Osmani tha se në bazë të nenit 79 të Kushtetutës, ajo mund ta dërgojë në Kuvend propozimin për zgjatje buxhetore e jo për një buxhet të ri, në mënyrë që me një zgjatje të tillë, vendi të mund të ketë para deri më 31 mars 2026.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u pyet lidhur me mandatarin e dytë, përkatësisht nëse ajo mund të mandatojë dy herë një person, në këtë rast kreun e LVV-së, Albin Kurti.
Ajo tha se në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të viteve 2014, 2020 dhe 2021 thuhet qartë që herën e dytë presidentja “duhet ta caktojë mandatarin tjetër”.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja u shprehën se janë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por kreu i LVV-së, Albin Kurti, nuk u deklarua pas takimit. /rel/