MOLDAVI – Alexandru Munteanu zgjidhet kryeministër i ri

KISHINEV, 31 tetor /ATSH/- Parlamenti i Moldavisë zgjodhi sot një kryeministër të ri për të udhëhequr përpjekjet e vendit për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe për t’u çliruar nga orbita politike e Rusisë.
Emërimi i Alexandru Munteanu, një ekonomist 61-vjeçar, vjen pas zgjedhjeve parlamentare në shtator, në të cilat Partia qeverisëse e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS) e presidentes Maia Sandu mposhti bindshëm një rival pro-rus dhe fitoi një mandat të ri për të ndjekur rrugën e Moldavisë drejt BE-së.
“Ne kemi një mundësi unike për t’u bërë qeveria që do ta çojë Moldavinë drejt Bashkimit Evropian”, tha Munteanu përpara votimit parlamentar, në të cilin ai fitoi mbështetjen e 55 nga 101 ligjvënësve.
Qeveria e Munteanu do të duhet të përballojë vështirësi të konsiderueshme ekonomike dhe inflacionin e lartë, kryesisht rezultat i pushtimit të Ukrainës fqinje nga Rusia në vitin 2022.
Bashkimi me BE-në mund të zgjasë shumë vite dhe Moldavia do të duhet të ndërmarrë reforma të vështira, të tilla si pastrimi i gjyqësorit dhe riorganizimi i rrjetit të saj të vjetëruar të energjisë.
Munteanu, i cili ka punuar jashtë Moldavisë për rreth 20 vjet, përfshirë për Bankën Botërore dhe nuk ka mbajtur më parë poste politike, tha se prioritetet e qeverisë së tij ishin, anëtarësimi në BE, paqja, rritja ekonomike.
Ai mban shtetësi moldave, rumune dhe amerikane. //a.i/