Osmani takon të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor

PRISHTINË, 10 tetor /ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani gjatë një takimi sot me zëvendësndihmëssekretarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, kanë diskutuar për forcimin e mëtejshëm të aleancës me SHBA-në, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për t’i përmbushur synimet e përbashkëta strategjike.
Osmani shprehu mirënjohjen e saj të thellë për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës, duke shtruar nevojën e dialogut strategjik me SHBA-në, si një hap i rëndësishëm në fuqizimin e partneritetit.
Në këtë kontekst, Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, pasi një gjë e tillë do të forcojë sigurinë e vendit dhe stabilitetin rajonal.
Në takim u diskutua edhe mbi mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, siç është fusha e mbrojtjes dhe sigurisë.
Pas takimit me Osmanin, emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor pritet të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Kasanof gjatë qëndrimit në Kosovë do të takojë edhe liderët opozitarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Emisari amerikan po qëndron në Kosovë në kuadër të vizitës në Ballkanin Perëndimor.
Kjo është vizita e tij e parë në Kosovë në cilësinë e zëvendësndihmëssekretarit të Shtetit, pozitë në të cilën është emëruar muaj më parë.
/KosovaPress/