Osmani thirrje partive politike: Vendosni interesin e vendit para dallimeve politike, nevojitet qeveri funksionale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u është drejtuar me një thirrje partive politike, që të arrijnë marrëveshje me njëra-tjetër dhe të formohen institucionet shtetërore. Në një intervistë për televizionin polak “TVP World”, Osmani iu drejtua subjekteve politike, duke iu kërkuar vendosjen e interesave të vendit përpara atyre personale.
Sipas Osmanin, ngërçi i krijuar me moskonstituimin e Kuvendit, pavarësisht aktgjykimit të Kushtetuese, po ndikon drejtpërdrejtë në projektet e vendit. Osmani shtoi se Kosova po humbet projekte të rëndësishme të Bashkimit Evropian dhe mundësi bashkëpunimi me administratën e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“E shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje sërish të gjitha partive politike që të vendosin interesin e vendit para dhe t’i lënë anash dallimet. Duhet të përpiqen të formojnë një koalicion të shumicës parlamentare që do ta çojë Kosovën përpara. Shumica e marrëveshjeve duhet të kalojnë në Kuvend për ratifikim dhe në Qeveri për zbatim. Qytetarët e Kosovës meritojnë një qeveri funksionale dhe me kapacitet të plotë”, deklaroi Osmani, teksa shtoi se Kosova nuk mund të qëndrojë gjatë pa institucione funksionale pasi kjo gjë ndikon në ngadalësimin e reformave dhe procesit të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Një ditë më parë Kuvendi u mblodh sërish për votimin e emrave të propozuar nga subjektet politike për kryetar të Kuvendit, por pa prodhuar një rezultat, pasi emrat e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje nuk morën votat e nevojshme.
Seanca plenare e radhës do të mbahet të mërkurën (26 gusht) në orën 11:00.
/rtsh.al/