E Diel, 1 Nëntor 2026

P R O J E K T L I GJ PËR ADMINISTRATËN DETARE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

P R O J E K T L I GJ

PËR

ADMINISTRATËN DETARE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Ky ligj përcakton organizimin dhe funksionimin e administratës detare të Republikës së Shqipërisë, në zbatim të detyrimeve të vendosura nga aktet ligjore, kombëtare dhe ndërkombëtare, në fushën e detarisë.

Neni 2
Fusha e veprimit

1. Dispozitat e këtij ligji veprojnë ndaj:

a) të gjitha strukturat përbërëse të administratës detare, që kryejnë veprimtarinë e tyre në përputhje me qëllimin e këtij ligji;
b) të gjitha porteve të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga statusi që gëzojnë;
c) mjeteve lundruese, të përfshira në regjistrin e mjeteve lundruese të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga vendndodhja dhe veprimtaria e tyre;
ç)  mjeteve të huaja, kur janë në portet dhe në ujërat brenda juridiksionit territorial të Republikës së Shqipërisë.
d)  të gjithë personave, fizikë dhe juridikë, që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre, në përputhje me përmbajtjen e këtij ligji.

2. Dispozitata e këtij ligji nuk veprojnë ndaj:

a) një porti dhe mjeteve lundruese, që janë në autoritetin e Forcave Ushtarake Detare të Republikës së Shqipërisë;
b) mjeteve lundruese të shteteve të tjera, të përjashtuara me marrëveshje ndërkombëtare, dypalëshe ose shumëpalëshe, të ratifikuara me ligj nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Neni 3
Përkufizime

Në kuptimin e këtij ligji, me termat e mëposhtme nënkuptohen:

1. “Administrata detare”, tërësia e strukturave të angazhuara në fushën e detarisë, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme Detare. 
2. “Drejtoria e Përgjithshme Detare”, autoriteti përgjegjës për funksionimin e administratës detare, për politikat e zhvillimit të transportit detar dhe monitorimin e zbatueshmërisë së ligjit për fushën e detarisë, në varësi të ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
3. “Ministri”, ministri përgjegjës për transportin.
4. “Ministria”, institucion, i cili ka në varësi institucionale transportin.
5. “Kontrolli Shtetëror i Flamurit”, autoriteti përgjegjës, nëpërmjet të cilit shteti shqiptar ushtron kontrolle të rregullta, inspektimi dhe certifikimi të sigurisë teknike, për mjetet lundruese, që mbajnë flamurin shqiptar, për zbatimin e kërkesave, të vendosura nga legjislacioni kombëtar dhe konventat ndërkombëtare, ku Shqipëria është palë.
6. “Veprimtaria në fushën e detarisë”, tërësia e veprimeve të ndërgjegjshme të njeriut, që kryhen drejtpërdrejt ose në mjediset detare, me karakter ekonomik, mjedisor, kërkimor-shkencor a aspekte të tjera, që lidhen me mbrojtjen e interesave kombëtare.
7. “Subjekte detare”, subjektet e së drejtës detare, personat fizikë ose juridikë, publikë ose privatë, vendas ose të huaj, të cilët realizojnë veprimtari në fushën e detarisë.

KREU II

BAZA, AUTORITETI DHE STRUKTURAT PËRGJEGJËSE PËR ORGANIZIMIN E FUNKSIONIMIN E ADMINISTRATËS DETARE

Neni 4
Baza ligjore

Veprimtria e administratës detare të Republikës së Shqipërisë bazohet në legjislacionin në fuqi për fushën e detarisë, si dhe në marrëveshjet e konventat ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.

Neni 5
Autoriteti i administratës detare

Ministri është autoriteti më i lartë i administratës detare të Republikës së Shqipërisë.

Për ushtrimin e këtij autoriteti krijohet dhe funksion Drejtoria e Përgjithshme Detare, në varësi të ministrit.

Struktura dhe organika e Drejtorisë së Përgjithshme Detare përcaktohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit.

Neni 6
Strukturat përgjegjëse për organizimin dhe funksionimin e administratës detare

Administrata detare e Republikës së Shqipërisë ka në përbërje këto struktura:

a) Drejtorinë e Përgjithshme Detare;
b) Autoritetin Shtetëror të Sigurisë Portuale;
c) Kapiteneritë e porteve;
ç)  Kontrollin Shtetëror Portual;
d) Kontrollin Shtetëror të Flamurit;
dh)  Regjistrin e mjeteve lundruese të Republikës së Shqipërisë;
e) Regjistrin e detarëve të Republikës së Shqipërisë.

Neni 7
Drejtoria e Përgjithshme Detare

Drejtoria e Përgjithshme Detare drejton dhe organizon veprimtarinë e  strukturave përbërëse të administratës detare, në zbatim të legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar, për fushën e detarisë, të ratifikuar me ligj nga Republika e Shqipërisë.

Neni 8
Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale

Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale është pjesë përbërëse e Drejtorisë së Përgjithshme Detare dhe organizohet e funksionon në bazë të ligjit nr.9281, datë 23.9.2004, “Për sigurinë në anije dhe në porte”.

Neni 9
Kapiteneria e porteve

Kapiteneria e porteve është strukturë, në varësi të drejtpërdrejtë të Drejtorisë së Përgjithshme Detare dhe i ushtron funksionet në bazë të ligjit nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, dhe të akteve, ligjore e nënligjore, në fuqi.

Neni 10
Kontrolli Shtetëror Portual

Kontrolli Shtetëror Portual është strukturë përbërëse e administratës detare  dhe vepron pranë kapitenerisë së porteve.

Kontrolli Shtetëror Portual i kryen funksionet në zbatim të ligjit nr.9852, datë 26.12.2007, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për kontrollin shtetëror portual”, dhe të ligjit nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”.

Neni 11
Kontrolli Shtetëror i Flamurit

Kontrolli Shtetëror i Flamurit është strukturë në përbërje të administratës detare dhe ushtron veprimtarinë për inspektimin e certifikimin e sigurisë teknike të mjeteve lundruese, që mbajnë flamurin shqiptar, në bazë të ligjit nr.9852, datë 26.12.2007, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për kontrollin shtetëror portual”.

Neni 12
Regjistri i mjeteve lundruese dhe regjistri  i detarëve të
Republikës së Shqipërisë

Regjistri i mjeteve lundruese dhe regjistri i detarëve të Republikës së Shqipërisë janë struktura në përbërje të administratës detare. Ata e ushtrojnë veprimtarinë për regjistrimin e mjeteve lundruese, që kërkojnë të pajisen me flamurin shqiptar, dhe të detarëve, që kërkojnë të pajisen me dëshmitë përkatëse.

Regjistri i mjeteve lundruese dhe regjistri i detarëve funksiojnë në përputhje me dispozitat e ligjit nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”.

KREU III

DREJTORIA E PËRGJITHSHME DETARE

Neni 13
Statusi

Drejtoria e Përgjithshme Detare është institucion buxhetor, në varësi të ministrit.

Kjo drejtori drejtohet nga drejtori i përgjithshëm, i cili ka autoritetin dhe përgjegjësinë për marrjen e të gjitha vendimeve në fushën e detarisë, që nuk janë kompetencë ekskluzive e ministrit.

Neni 14
Detyrimet dhe të drejtat e Drejtorisë së Përgjithshme Detare

Drejtoria e Përgjithshme Detare ka detyrimet dhe të drejtat e mëposhtme:

a) Drejton e bashkërendon veprimtarinë e strukturave përbërëse të administratës detare;
b) Ushtron kontroll për mbarëvajtjen e punës dhe kryerjen e detyrave, mbi të gjitha strukturat përbërëse të administratës detare.
c) Kontrollon zbatimin e rregullave të përgjithshme, kombëtare dhe ndërkombëtare, të detarisë, nga të gjitha subjektet, private dhe shtetërore, të regjistruara si të tilla, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e detarisë dhe janë të lejuara, sipas ligjit,  nga Ministria.
ç)  Jep asistencë teknike në hartimin dhe përafrimin e legjislacionit kombëtar, detar me legjislacionin ndërkombëtar. Bën plotësimin e kuadrit ligjor kombëtar për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, që lidhen me të drejtën e detit dhe trasportin detar, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.
d)  Përfaqëson Republikën e Shqipërisë për çështjet detare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Organizatën Ndërkombëtare Detare (IMO), Organizatën Ndërkombëtare të Punës dhe organizatat e tjera, ku Shqipërisë është palë.
dh)  Bashkëpunon me të gjitha institucionet e tjera, që kanë lidhje me veprimtarinë e fushës së detarisë, si me Rojën Bregdetare, me strukturat e Policisë Kufitare, agjencitë doganore, agjencitë mjedisore, me Shërbimin Hidrografik dhe shoqatat e operatorëve privatë.
e) Shkëmben të dhënat e nevojshme, për disiplinimin e trafikut detar, rritjen e kushteve të sigurisë së lundrimit dhe të standardeve të sigurisë portuale;
ë)  Ngre grupet e ekspertëve, për kryerjen e hetimeve për incidentet dhe aksidentet detare, përplasjet e anijeve, zjarreve në anije, daljes në tokë, piraterisë, për zgjidhjen e të gjitha çështjeve detare, të parashikuara në Kodin Detar të Republikës së Shqipërisë, si dhe merr masat e nevojshme për parandalimin e shmangien e tyre;
f)  Jep asistencë teknike në hartimin e akteve nënligjore dhe marrjen e masave përkatëse për heqjen e mbetjeve të ngurta, të lëngëta dhe relikeve detare, nëpërmjet strukturave përbërëse të administratës detare.
g) Drejton, organizon dhe kontrollon trajnimet, për kualifikimin e oficerëve dhe të detarëve të Republikë së Shqipërisë, të pilotëve, agjentëve, operatorëve portualë, që veprojnë në fushën e detarisë, për lëshimin e certifikatave përkatëse, të nevojshme, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe me konventat ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.
 gj) Ndjek dhe realizon veprimtaritë e transportit detar, në bazë të programit të qeverisë, të Planit Kombëtar të Transporti, masterplaneve dhe strategjisë së zhvillimit të sektorit detar;
h) Monitoron zhvillimin e porteve detare, në bazë të studimeve, masterplaneve, projekteve, në harmoni me Planin Kombëtar të Transportit.

KREU IV

VEPRIMTARIA DETARE DHE E DREJTA E LEJES SË VEPRIMTARISË

Neni 15
Veprimtaria në fushën e detarisë

Në fushën e detarisë personat, fizikë dhe juridikë, publikë dhe privatë, kryejnë veprimtaritë e mëposhtme:

a) Transportin detar të mallrave dhe pasagjerëve.
b) Transport detar, në linjë të rregullt, për udhëtarë dhe automjete.
c) Shërbimet detare (agjenci detare, spedicionere, ngarkim-shkarkimi, pilotimi, rimorkimi, tërheqjen e mbeturinave, të ngurta dhe të lëngëta, nga anijet, furnizimin me karburant, konsulencë detare, kompanitë e menaxhimit të sigurtë të mjeteve lundruese).
ç) Veprimtari të tjera, që realizohen nga subjektet detare, në zbatim të konventave ndërkombëtare.

Neni 16
Lejet e ushtrimit të veprimtarisë detare

Personat, fizikë dhe juridikë, e ushtrojnë veprimtarinë detare në përputhje me dispozitat e Kodit Detar të Republikës së Shqipërisë dhe të akteve, ligjore e nënligjore, në fuqi.

Ministri  miraton kriteret dhe procedurat e lëshimit, të pezullimit dhe heqjes së lejeve, për ushtrimin  e veprimtarisë në fushat e transportit detar.

Neni 17
Tarifat e lejes për ushtrimin e veprimtarisë dhe miratimi i tyre

Tarifat e lejes për ushtrimin e veprimtarisë, sipas përcaktimeve të parashikuara në nenin 15, të këtij ligji, propozohen nga ministri dhe miratohen nga ministri i Financave.
Të ardhurat e krijuara derdhen në buxhetin e shtetit.

KREU V
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 18
Nxjerrja e akteve nënligjore

1. Ngarkohet ministri të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 16, të këtij ligji, për rregullimin e veprimtarive në fushën e detarisë.

2. Ngarkohet ministri i Financave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 17, të këtij ligji, për miratimin e tarifave të veprimtarive në fushën e detarisë.

Neni 19
Shfuqizime

Dekreti nr.4938, datë 4.2.1972, ndryshuar me dekretin nr.6180,  datë 26.4.1980, “Për kapiteneritë e porteve”, shfuqizohet.

Neni 20
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

JOZEFINA TOPALLI


14/01/2009 Votoni per projektligjin PO:       JO: 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›