iratoi në mbledhjen e sotme këto projektligje: V E N D
Këshilli i Ministrave mori në shqyrtim dhe miratoi në mbledhjen e sotme këto projektligje:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ÇEKISË, PËR BASHKËPUNIMIN NË LUFTËN KUNDËR KRIMIT”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave:
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Çekisë, për bashkëpunimin në luftën kundër krimit”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I SALI BERISHA P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ÇEKISË, PËR BASHKËPUNIMIN NË LUFTËN KUNDËR KRIMIT
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Çekisë, për bashkëpunimin në luftën kundër krimit, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYETARI
JOZEFINA TOPALLI
* * *
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË GREQISË, PËR DELIMITIMIN E ZONAVE TË TYRE PËRKATËSE TË SHELFIT KONTINENTAL DHE TË ZONAVE TË TJERA DETARE, QË U PËRKASIN NË BAZË TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I SALI BERISHA P R O J E K T L I GJPËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË GREQISË, PËR DELIMITIMIN E ZONAVE TË TYRE PËRKATËSE TË SHELFIT KONTINENTAL DHE TË ZONAVE TË TJERA DETARE, QË U PËRKASIN NË BAZË TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYETARI
JOZEFINA TOPALLI
* * *
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9374, DATË 21.4.2005,
“PËR NDIHMËN SHTETËRORE””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I SALI BERISHA P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9374, DATË 21.4.2005, “PËR NDIHMËN SHTETËRORE”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Neni 2, “Fusha e zbatimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 2
Fusha e zbatimit
Ky ligj zbatohet për veprimtaritë, që ushtrohen në të gjithë sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të sektorëve të bujqësisë e të peshkimit.”.
Neni 2
Pas pikës 14, të nenit 3, “Përkufizime”, shtohen pikat 15 e 16, me këtë përmbajtje:
“15. Ndihma për riskun e kapitalit është financimi, që u bëhet ndërmarrjeve, ndërmjet pjesëmarrjes në kapital në formën e kuotave, të aksioneve ose obligacioneve, të konvertueshme në aksione, në fazat e para të rritjes/themelimit dhe administrimit të tyre.
16. Ndihma për mbrojtjen e mjedisit është çdo veprim, i ndërmarrë për të rregulluar apo parandaluar dëmet, që u shkaktohen mjedisit fizik ose burimeve natyrore nga veprimtaria e përfituesit të ndihmës, në mënyrë që të pakësohet shkalla e rrezikut, i cili vjen prej dëmit, ose të sigurohet përdorimi sa më efiçient i burimeve natyrore.”.
Neni 3
Në fund të nenit 5, “Ndihma për eksport”, pas fjalëve “... veprimtarinë e eksportit.” shtohen “... si dhe ndihma, që kushtëzohet me përdorimin e produkteve vendase, kundrejt produkteve të importuara.”.
Neni 4
Neni 8, “Ndihma “De minimis””, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 8
Ndihma “De minimis”
Ndihma është e lejueshme nëse ajo, pavarësisht formës ose qëllimit për të cilin jepet, nuk kalon vlerën 100 000 euro, për një periudhë financiare prej tre vjetësh, dhe, në të njëjtën kohë, nuk jepet për veprimtaritë e eksportit, nuk kushtëzohet me përdorimin e produkteve vendase kundrejt produkteve të importuara dhe përfituesi nuk është një ndërmarrje në vështirësi.”.
Neni 5
Në nenin 9, “Ndihma për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Titulli ndryshohet në “Ndihma në formën e shërbimeve këshillimore dhe për pjesëmarrjen në panaire, për ndërmarrjet e vogla e të mesme”.
2. Shkronja “a” shfuqizohet.
Neni 6
Pas nenit 9 shtohet neni 9/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 9/1
Ndihma për ndërmarrjet e vogla, të sapokrijuara
Ndihma për ndërmarrjet e vogla, të sapokrijuara, të cilat janë regjistruar, për herë të parë, pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit gjatë 12 muajve të fundit, lejohet nëse përmbushen kushtet e mëposhtme:
a) Vlera e ndihmës nuk kalon masën 200 000 euro;
b) Vlera vjetore nuk duhet të kalojë 33 për qind të vlerës së ndihmës së parashikuar në shkronjën “a”, më sipër;
c) Intensiteti i ndihmës nuk duhet të kalojë 40 për qind të kostove të pranueshme për 3 vitet e para pas krijimit të ndërmarrjes dhe 30 për qind në dy vitet pasardhëse;
ç) Kostot e pranueshme do të jenë kostot administrative, ligjore dhe këshillimore, që lidhen drejtpërdrejt me krijimin e ndërmarrjeve të vogla, si dhe kostot operacionale për 5 (pesë) vitet e para pas krijimit të ndërmarrjes. TVSH-ja dhe tatimi mbi të ardhurat e biznesit nuk përfshihen në kostot e pranueshme;
d) Ndërmarrjet e vogla, të kontrolluara nga aksionarë të ndërmarrjeve, që janë mbyllur gjatë 12 muajve të mëparshëm, nuk mund të përfitojnë ndihmë, në rast se ndërmarrjet e lartpërmendura janë aktive në tregun përkatës apo në tregje, të lidhura me të.”.
Neni 7
Neni 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 10
Ndihma për punonjësit në vështirësi dhe me aftësi të kufizuar
Ndihma për punonjësit në vështirësi dhe për punonjësit me aftësi të kufizuar lejohet nëse përmbushen kushtet e mëposhtme:
a) Intensiteti i ndihmës nuk duhet të kalojë 75 për qind të kostove të pagave, për punonjëist me aftësi të kufizuara, dhe 50 për qind të kostove të pagave, për punonjësit në vështirësi;
b) Kostot e pranueshme janë kostot mesatare për një periudhë jo më shumë se 12 muaj, nga çasti i marrjes në punë të një punonjësi në vështirësi, dhe për çdo periudhë të caktuar, që është marrë në punë, një punonjës me aftësi të kufizuar;
c) Intensiteti i ndihmës për kompensimin e kostove shtesë për punonjësit me aftësi të kufizuar nuk kalon masën 100 për qind të kostove të pranueshme.”.
Neni 8
Në nenin 11, “Ndihma për trajnim”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në shkronjën “a” numri “35” bëhet “45”.
2. Në shkronjën “b” numri “50” bëhet “60” dhe numri “70” bëhet “80”.
Neni 9
Pas nenit 13 shtohen nenet 13/1 dhe 13/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 13/1
Ndihma për mbrojtjen e mjedisit
Ndihma për mbrojtjen e mjedisit mund të jepet vetëm për:
a) investim për nxitjen e energjisë nga burime të rinovueshme të energjisë dhe intensiteti i saj nuk kalon 45 për qind të kostove të pranueshme. Kostot e pranueshme janë kostot shtesë, që prodhon/mbart përfituesi, krahasuar me një impiant konvencional, me kapacitet të njëjtë. Intensiteti i ndihmës rritet me 20 për qind për ndërmarrjet e vogla dhe me10 për qind për ndërmarrjet e mesme.
b) Investim për menaxhimin e humbjeve të ndërmarrjeve të tjera, përfshirë këtu ripërdorimin, riciklimin dhe kthimin, dhe intensiteti nuk kalon 50 për qind të kostove të pranueshme. Kostot e pranueshme janë kostot shtesë, që prodhon/mbart përfituesi, krahasuar me një prodhim konvencional, me kapacitet të njëjtë, por që nuk përfshin menaxhimin e humbjeve. Intensiteti i ndihmës rritet me 20 për qind për ndërmarrjet e vogla dhe me 10 për qind për ndërmarrjet e mesme.
c) Investim për ndërmarrjet, që merren me riparimin e dëmeve mjedisore, duke rehabilituar zonat e ndotura, në qoftë se ndërmarrja, që ka shkaktuar ndotjen, nuk është identifikuar dhe intensiteti i ndihmës mund të arrijë deri në 100 për qind të kostove të pranueshme. Kostot e pranueshme janë kostot për punën rregulluese, duke i zbritur rritjen e çmimit të tokës.
ç) Investim për prodhimin e kombinuar e me efiçencë të lartë të energjisë dhe nxehtësisë, në qoftë se intensiteti nuk kalon 45 për qind të kostove të pranueshme. Kostot e pranueshme janë kostot shtesë, që prodhon/mbart përfituesi, krahasuar me një investim referencë. Intensiteti i ndihmës rritet me 20 për qind për ndërmarrjet e vogla dhe me 10 për qind për ndërmarrjet e mesme.
Neni 13/2
Ndihma në formën e riskut të kapitalit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
Skemat e ndihmës në formën e riskut të kapitalit për ndërmarrjet e vogla e të mesme lejohen vetëm nëse:
a) masa e ndihmës ka formën e pjesëmarrjes në një fond fitimprurës privat investimesh, të menaxhuar në kushtet e tregut;
b) këstet, që u jepen ndërmarrjeve përfituese nga fondi i investimit gjatë një periudhe prej 12 muajsh, nuk duhet të kalojnë vlerën 200 000 euro;
c) risku i kapitalit kufizohet vetëm në ofrimin e kapitalit bazë, kapitalit themeltar dhe/ose për zgjerimin e kapitalit;
ç) nga fondi i investimit investohet në ndërmarrjet e vogla e të mesme përfituese në formën e kuotave, të aksioneve ose obligacioneve të konvertueshme në aksione, të paktën 70 për qind e buxhetit të tij të përgjithshëm;
d) investitorët privatë mbulojnë jo më pak se 25 për qind të financimit të fondit të investimeve.”.
Neni 10
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI
* * *
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MBRETËRISË SË SPANJËS, PËR BASHKËPUNIMIN NË LUFTËN KUNDËR KRIMIT”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, për bashkëpunimin në luftën kundër krimit”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I SALI BERISHA P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MBRETËRISË SË SPANJËS, PËR BASHKËPUNIMIN NË LUFTËN KUNDËR KRIMIT
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, për bashkëpunimin në luftën kundër krimit.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYETARI
JOZEFINA TOPALLI
* * *
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MBROJTJEN E DËSHMITARËVE DHE TË BASHKËPUNËTORËVE TË DREJTËSISË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I SALI BERISHA P R O J E K T L I GJ
PËR
MBROJTJEN E DËSHMITARËVE DHE TË BASHKËPUNËTORËVE TË DREJTËSISË
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky ligj rregullon masat e posaçme, të përkohshme dhe të jashtëzakonshme, mënyrën dhe procedurat e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, si dhe organizimin, funksionimin, kompetencat dhe marrëdhëniet ndërmjet organeve të ngarkuara për propozimin, vlerësimin, miratimin dhe zbatimin e programit të mbrojtjes.
Neni 2
Fusha e veprimit
Dispozitat e këtij ligji janë të zbatueshme në kuadër të procedimeve penale për krime të kryera me dashje, për të cilat ligji parashikon dënim me burgim jo më pak se 4 vjet, në minimum. Rrezikshmëria e këtyre krimeve dhe e autorëve të tyre duhet të jetë e tillë, që të justifikojë kryerjen e shpenzimeve të nevojshme, për mbrojtjen e një ose të disa personave.
Neni 3
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtme nënkuptohen:
1. “Programi i mbrojtjes”, masat e posaçme, ndihmëse dhe të jashtëzakonshme, që zbaton Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, për mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të perosnave të mbrojtur, në kushtet e parashikuara nga ky ligj.
2. “Dëshmitar i drejtësisë”, personi, i cili, në cilësinë e dëshmitarit ose të personit të dëmtuar, bën deklarime a dëshmon për fakte e rrethana, që përbëjnë objekt prove në një procedim penal dhe që, për shkak të këtyre deklarimeve a dëshmive, ndodhet në gjendje rreziku.
3. “Bashkëpunëtor i drejtësisë”, personi, i cili vuan dënimin penal ose është i pandehur në një procedim penal për krime të kryera në bashkëpunim, që ndodhet në gjendje rreziku për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, të deklarimeve apo dëshmive për fakte e rrethana, që përbëjnë objekt prove në të njëjtin procedim penal ose në një procedim të lidhur.
4. “Persona të lidhur”, personat, të cilët ndodhen në gjendje rreziku, për shkak të lidhjeve të gjakut, të martesës, të bashkëjetesës së faktit ose marrëdhënieve të ngushta personale, që kanë me dëshmitarin ose bashkëpunëtorin e drejtësisë.
5. “Persona të mbrojtur”, bashkërisht ose veçmas, dëshmitarët, bashkëpunëtorët e drejtësisë dhe personat e lidhur me ta, sipas përcaktimeve të bëra në pikat 2, 3 e 4, të këtij neni.
6. “Gjendje rreziku”, gjendja aktuale, konkrete dhe serioze, për shkak të së cilës jeta e shëndeti janë në rrezik, si pasojë e dëshmimit të dëshmitarit apo të bashkëpunëtorit të drejtësisë në procesin penal, për veprat penale, të parashikuara në këtë ligj.
KREU II
ORGANET PËRGJEGJËSE PËR MBROJTJEN E DËSHMITARËVE DHE TË BASHKËPUNËTORËVE TË DREJTËSISË
Neni 4
Organet përgjegjëse
Organe përgjegjëse për përgatitjen, vlerësimin, miratimin dhe zbatimin e programit të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë janë:
a) Komisioni për vlerësimin e programit të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë (“komisioni”);
b) Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë (“drejtoria”).
Neni 5
Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë
1. Organi përgjegjës për përgatitjen, ndjekjen dhe zbatimin e programit të mbrojtjes është Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, si strukturë e posaçme qendrore e Policisë së Shtetit, pranë Departamentit për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila e shtrin veprimtarinë e vet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Struktura dhe organika e drejtorisë miratohen nga ministri i Brendshëm.
3. Çështjet, që lidhen me trajtimin dhe përfitimet e punënjësve të drejtorisë, rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Drejtoria ka buxhetin e vet, si njësi shpenzimi në buxhetin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Administrimi i pasurive dhe fondeve të nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë së drejtorisë, dokumentimi i shpenzimeve dhe kontrolli i veprimtarisë financiare të drejtorisë bëhen në mënyrë të tillë, që të mos lejojnë identifikimin e të dhënave, me natyrë sekrete e operative.
Neni 6
Fusha e veprimtarisë së drejtorisë
Drejtoria ka këto detyra:
a) përgatit dhe dërgon për shqyrtim në komision propozimet e dërguara nga prokurori i Përgjithshëm, për pranimin në programin e mbrojtjes;
b) kryen një vlerësim të kushteve, fizike dhe psikologjike, të personit të propozuar për t’u pranuar në programin e mbrojtjes dhe një vlerësim të gjithanshëm të gjendjes së rrezikut, me qëllim që komisioni të jetë sa më i informuar për përshtatshmërinë e personit me programin e mbrojtjes;
c) vendos zbatimin e masave të përkohshme të mbrojtjes deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga komisioni, në rastet dhe mënyrën e parashikuar në nenin 18, të këtij ligji;
ç) pas marrjes së vendimit të komisionit për pranimin në programin e mbrojtjes, vendos masat, e posaçme dhe ndihmëse, të mbrojtjes, që do të zbatohen për personin ose personat e pranuar në program;
d) përgatit dhe nënshkruan marrëveshjen e mbrojtjes me personat e mbrojtur sipas nenit 19, të këtij ligji;
dh) ndjek zbatimin e programit të mbrojtjes;
e) administron bazën e të dhënave, që lidhet me veprimtarinë e drejtorisë dhe ecurinë e programit të mbrojtjes dhe merr masa për t’i siguruar e administruar ato, në përputhje me shkallën e nevojshme të klasifikimit të informacionit, sipas dispozitave ligjore në fuqi;
ë) administron pasuritë dhe fondet në dispozicion të drejtorisë për ushtrimin e veprimtarisë dhe zbatimin e programit të mbrojtjes, përfshirë marrjen me qira të mjediseve të nevojshme për punë teknike e operative;
f) propozon dhe merr masa për bashkërendimin e punëve me institucione të tjera për zbatimin e programit të mbrojtjes ndaj personave të mbrojtur;
g) ndjek çështjet e bashkëpunimit me strukturat ndërkombëtare ose të shteteve të tjera, në fushën e mbrojtjes;
gj) përgatit raporte periodike për veprimtarinë e zhvilluar dhe bën propozime për përmirësimin e legjislacionit, për zbatimin e programit të mbrojtjes ndaj personave të mbrojtur. Raportet e drejtorisë përmbajnë vetëm statistika dhe asnjë dispozitë ligjore, për të drejtën e informimit, nuk e vë drejtorinë para detyrimit për t’u dhënë informacion, qoftë edhe në mënyrë të përmbledhur e të reduktuar, institucioneve shtetërore, shtypit apo publikut.
Raportet periodike përgatiten çdo gjashtë muaj dhe i vihen në dispozicion komisionit.
Neni 7
Kompetenca të veçanta të drejtorisë
1. Drejtoria, kur e sheh të nevojshme, në funksion të zbatimit të masave të mbrojtjes u drejtohet, me një kërkesë të arsyetuar, me shkrim, institucioneve të tjera shtetërore për:
a) informacionin e nevojshëm;
b) të mos u dhënë informacion enteve ose personave që, në kushte normale, kanë të drejtë ta marrin këtë informacion;
c) t’i informuar, në çdo rast, kur persona ose ente të tjera bëjnë përpjekje të marrin informacion për personat e mbrojtur.
2. Drejtoria, në zbatim të programit të mbrojtjes, ka të drejtë të përdorë identitete të rreme dhe t’u kërkojë institucioneve të tjera shtetërore të ndihmojnë në krijimin e tyre:
a) për personat e mbrojtur;
b) për punonjësit e drejtorisë, që kryejnë detyra konkrete, në përmbushje të detyrimeve, që burojnë nga ky ligj.
3. Për efekt të përjashtimit nga përgjegjësia penale, personat, që përdorin identitete të rreme në zbatim të pikës 2, të këtij neni, dhe funksionarët publikë, që ndihmojnë në krijimin e këtyre identiteteve, do të vlerësohen se kanë vepruar në ushtrim të një të drejte ose në zbatim të detyrës së ngarkuar nga ligji, sipas nenit 21, të Kodit Penal.
Neni 8
Emërimi, lirimi dhe përjashtimi nga policia i punonjësve të drejtorisë
1. Oficerët e policisë në drejtori përzgjidhen nga radhët e punonjësve të policisë, që plotësojnë kriteret për t’u emëruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në përputhje me ligjet e aktet nënligjore në fuqi.
2. Kandidatët për punonjës të drejtorisë i nënshtrohen verifikimit të personalitetit të tyre, nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme.