E Shtunë, 31 Tetor 2026

P R O J E K T L I GJ PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9385, DATË 4.5.2005, “PËR PYJET DHE SHËRBIMIN PYJOR”, TË NDRYSHUAR

P R O J E K T L I GJ 

PËR

DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9385, DATË 4.5.2005, “PËR PYJET DHE SHËRBIMIN PYJOR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I :

Në ligjin nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

Neni 1

Paragrafi i dytë, i pikës 1, të nenit 19, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Ministri miraton dhe shpall listën e vendeve ose të shesheve të fondit pyjor publik, ku mund të ushtrohen këto veprimtari, ndërsa për pyjet komunale, listën e shpallin njësitë e qeverisjes vendore.”.

Neni 2

Pika 2, e nenit 26,  ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2.  Personat, fizikë dhe juridikë, mund ta trajtojnë dhe shfrytëzojnë fondin pyjor kombëtar vetëm kur kanë dalë fitues në procedurat e konkurrimit publik dhe kur lidhin kontratën me drejtorinë përkatëse të shërbimit pyjor ose me njësinë e qeverisjes vendore. Kërkesat, që duhet të plotësojnë subjektet për pjesëmarrje në konkurrimin publik, përcaktohen me udhëzim të ministrit. Të drejtat, që sigurohen nga kontrata për trajtimin dhe shfrytëzimin e  fondit pyjor kombëtar, nuk mund t’u transferohen të tretëve. Subjektet, që kanë lidhur kontratën, mund të ndërtojnë ose të vendosin instalime të përkohshme, sipas skemave teknologjike, të miratuara nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor.”.

Neni 3

Pikat  5 e 7, të nenit 27, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“5.  Kërkesat dhe rregullat për vjeljen e materialit drusor dhe shitjen me ankand të lëndës drusore e të prodhimeve të tjera, pyjore e jopyjore, përcaktohen me udhëzim të ministrit.
....
7.  Materiali drusor, i përpunuar ose i papërpunuar, si dhe prodhimet e tjera, pyjore e jopyjore, transportohen nga pikat  e grumbullimit dhe qendrat e përpunimit deri në destinacionin përfundimtar, të shoqëruara me një vërtetim transporti, të lëshuar nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor, nga njësitë e qeverisjes vendore ose nga pronari privat, ku vërtetohet prodhimi i tyre në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Modeli i vërtetimit të transportit miratohet nga ministri.”.

Neni 4

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

JOZEFINA  TOPALLI

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›