E Shtunë, 31 Tetor 2026

P R O J E K T L I GJ PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8053, DATË 21.12.1995, “PËR KALIMIN NË PRONËSI, PA SHPËRBLIM, TË TOKËS BUJQËSORE”

P R O J E K T L I GJ

PËR

NJË SHTESË  NË LIGJIN NR.8053, DATË 21.12.1995, “PËR KALIMIN NË PRONËSI, PA SHPËRBLIM, TË TOKËS BUJQËSORE”

Në mbështetje të neneve 78 dhe dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I :

Neni 1

Pas nenit 3, të ligjit, nr.8053, datë 21.12.1995, “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore, të shtohet neni 3/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 3/1

1. Përdoruesit e tokave bujqësore brenda vijave kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave urbane, që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt, të vitit 1996, kompensohen me truall në zonat urbane, në çastin që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike.

Kompensimi në truall të bëhet si më poshtë vijon:

a)     Për familjet mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit të jerë deri në 500 m2 ;

b)     Për familjet me më pak pjesëtarë, të zbritet 100 m2 për çdo pjesëtar më pak në përputhje me të dhënat e regjistrit të gjendjes civile, të datës 31.12.1995.

2. Përdoruesit e tokës bujqësore brenda vijave kufizuese të zonës me përparësi turizmin, të përcaktuara sipas vendimit nr.88, datë 1.3.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e zonave që kanë përparësi zhvillimin e turizmit”, që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt, të vitit 1996, të kompensohen me truall në zonë turistike, në çastin, që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike.

Kompensimi në truall të bëhet:

a)     Për familjet mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit të jetë deri  500 m2;     

b)     Për familjet me më pak pjesëtarë, zbritet 100 m2  për çdo pjesëtar më pak, në përputhje me të dhënat e regjistrit të gjendjes civile, të datës 31.12.1995.

3. Kalimi i tokës së përdoruesve, për kompensim fizik, për subjektet e shpronësuara, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa kalimi i tokës së përdoruesve, për ndërtime publike, bëhet, sipas rastit, me vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit të qarkut ose të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, sipas kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për urbanistikën.

4. Vendi i kompensimit me truall për përdoruesit e tokës bujqësore përcaktohet:

a)     Në zonat turistike bregdetare, nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore në territorin, ku ndodhet toka që kalon për kompensim, sipas procedurave, që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

b)     Në zonat periferike të qyteteve dhe qendrave urbane, nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore, ku ndodhet toka e kaluar për kompensim, pas përfundimit të procesit të legalizimit nga ALUIZNI.

5. Mbajtësit në përdorim të këtyre kategorive të tokave bujqësore të paraqesin në zyrat rajonale të Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave (AKKP) dokumentet, që vërtetojnë marrjen dhe ekzistencën e tokës në përdorim.

Zyrat rajonale të AKKP-së kryejnë kalimin e dokumentacionit për kompensim me truall sipas procedurave dhe afateve, që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

JOZEFINA TOPALLI

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›