E Diel, 1 Nëntor 2026

“Më varrosni pa fjalime, pa lule, afër varrit të…”/ Çfarë kërkoi në letrën e fundit Rexhep Qosja

Në letrën e tij të fundit drejtuar nipit të tij Valjetit, akademiku i ndjerë Rexhep Qosja, ka lënë amanetin e fundit që ceremonia e varrimit të tij të zhvillohet vetëm në praninë e familjarëve.

Në letër akademiku thekson se ka jetuar thjesht dhe do të varroset po ashtu, “pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës”.

“Vdes i qetë”, shkruan në letrën e fundit Qosja, duke shtuar se nuk u ka mbetur borxh Shqipërisë dhe Kosovës, të sotmes dhe ardhmërisë së tyre, pasi jetën, krijimtarinë dhe veprimtarinë politike ia ka kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies së popullit shqiptar.

LETRA

NIPIT TIM VALJETIT

I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT

KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME

Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.

Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.

Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.

Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.

Vdes i qetë.

Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.

Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.

Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.

Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.

Gjyshi yt, Valjet

Rexhep Qosja

Kush ishte Rexhep Qosja

Rexhep Qosja (25 qershor 1936 – 23 prill 2026) ishte një nga figurat më të rëndësishme të mendimit intelektual shqiptar, i njohur si historian i letërsisë, kritik letrar, shkrimtar, publicist, akademik dhe veprimtar politik.

I lindur në Vuthaj, ai kreu shkollimin fillor në vendlindje dhe më pas u formua akademikisht në Prishtinë dhe Beograd, ku përfundoi studimet dhe doktoroi në fushën e letërsisë shqipe me një punim për poetin Asdreni.

Qosja ka pasur një karrierë të gjatë akademike dhe shkencore në Kosovë, duke punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe në Universitetin e Prishtinës, ku ka mbajtur poste të rëndësishme si studiues, profesor dhe drejtues institucionesh shkencore. Ai ka qenë gjithashtu drejtor i Institutit Albanologjik dhe një nga figurat kryesore të albanologjisë moderne.

Në aspektin letrar, ai është autor i mbi 30 veprave që përfshijnë studime shkencore, kritikë letrare, romane, tregime dhe publicistikë.

Veprat e tij trajtojnë historinë e letërsisë shqipe, kulturën dhe çështjet kombëtare shqiptare, duke e bërë atë një nga autorët më me ndikim në fushën e albanologjisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›