E Martë, 3 Nëntor 2026

PARIS – Macron kërkon masa të ashpra pas sulmeve të fundit ruse

PARIS, 7 prill /ATSH-DPA/- Presidenti francez, Emmanuel Macron ka bërë thirrje për “masa të ashpra” në rast se Rusia vazhdon të bllokojë përpjekjet për të negociuar marrëveshjen e paqes për luftën në Ukrainë, pasi sulmet vdekjeprurëse ruse ndaj fqinjit më të vogël vazhdojnë pa pushim.

“Sulmet e Rusisë duhet të marrin fund”, shkroi dje në mbrëmje në platformën X presidenti francez, Macron.

“Nevojitet një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe masa të ashpra nëse Rusia vazhdon të përpiqet të blejë kohë dhe të refuzojë paqen”, shtoi presidenti francez.

Deklarata e Macron erdhi pasi një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën dje nga një sulm rus në Kiev.

Sipas presidentit ukrainas,  Volodymyr Zelensky, Rusia lëshoi ​​më shumë se 1,460 bomba rrëshqitëse, rreth 670 dronë dhe më shumë se 30 raketa në vendin fqinj – vetëm javën e kaluar.

Gjithsej 18 persona, përfshirë nëntë fëmijë, u vranë të premten gjatë një sulmi rus me raketa në Kryvyi Rih.

Ndryshe nga Ukraina, Rusia vazhdon të refuzojë propozimin e SHBA-së për një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor, duke këmbëngulur që ndihma ushtarake për Kievin të ndërpritet, mes kërkesave të tjera. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›