PARIS – Macron pritet të emërojë kryeministrin e ri të Francës

PARIS, 10 tetor /ATSH-DPA/ – Presidenti francez Emmanuel Macron pritet të emërojë sot një kryeministër të ri, ndërsa përballet me presion të madh politik për të zgjidhur bllokimin e krijuar në vend.
Ende nuk është e qartë nëse Sebastien Lecornu, i cili dha dorëheqjen pas vetëm katër javësh në detyrë, do të qëndrojë në post apo do të zëvendësohet nga një figurë e re.
Para marrjes së vendimit, Macron ka ftuar në Pallatin Elysee drejtuesit e partive parlamentare për konsultime, njoftojnë mediat franceze.
Të vetmet parti që nuk do të marrin pjesë janë “Rassemblement National” ekstremi i djathtë, i udhëhequr nga Marine Le Pen, dhe *”France Unbowed (LFI)” e krahut të majtë ekstrem.
Në media janë përmendur disa emra si kandidatë të mundshëm për postin e kryeministrit, mes tyre Olivier Faure, lider i socialistëve; Bernard Cazeneuve, ish-kryeministër socialist, politikani centrist Jean-Louis Borloo dhe François Villeroy de Galhau, kreu i Bankës Qendrore të Francës.
Macron është nën presion kohor, pasi sipas kushtetutës, buxheti për vitin e ardhshëm duhet t’i paraqitet parlamentit deri të hënën dhe këtë mund ta bëjë vetëm një kryeministër në detyrë.
Një tjetër mundësi për dalje nga kriza janë zgjedhjet e parakohshme. /Ad.Ab./