PARIS – Merz: Lufta me Iranin nuk duhet të bëhet një test stresi transatlantik

PARIS, 17 prill /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka paralajmëruar se përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Iran, nuk duhet të rrezikojnë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi presidenti Donald Trump kritikoi sërish NATO-n për atë që ai e quajti “mungesë mbështetjeje” për Ngushticën e Hormuzit.
“Kjo luftë nuk duhet të bëhet një test stresi transatlantik”, tha Merz në Paris pas diskutimeve mbi një operacion të mundshëm ushtarak nga partnerët perëndimorë për të siguruar lundrimin e lirë në Ngushticën e Hormuzit, një arterie kyçe për furnizimet globale me naftë, që është mbyllur në mënyrë efektive për shkak të luftës kundër Iranit.
“Në këtë drejtim, tani duhet të nxjerrim disa përfundime së bashku. Nëse ajo që kemi vendosur të bëjmë dështon, atëherë një krizë e madhe globale shumëdimensionale na pret”, shtoi Merz.
Deklarata e Merz vjen pasi Irani dhe Trump njoftuan rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, të cilën qeveria iraniane e kishte mbyllur në përgjigje të sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit.
Në një seri postimesh pasuese, Trump kritikoi ashpër NATO-n.
“Tani që situata në Ngushticën e Hormuzit ka mbaruar, mora një telefonatë nga NATO-ja, e cila më pyeti nëse SHBA-së i duhej ndihmë. U thashë të qëndronin larg, vetëm nëse donin të mbushnin anijet e tyre me naftë. Ata ishin të padobishëm kur ishte e nevojshme, një “Tigër Letre”, shkroi Trump.
Ndërsa, një zyrtar i NATO-s tha se aleanca ushtarake kishte vëzhguar takimin e sotëm mbi lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe po monitoron nga afër planifikimin ushtarak që po kryhet.
Trump e ka kritikuar vazhdimisht NATO-n për mungesën e pjesëmarrjes në përpjekjet për të rihapur ngushticën, duke kërcënuar se mbështetja e SHBA-së për aleancën do të rivlerësohej. //a.i/