E Diel, 1 Nëntor 2026

PARIS – Merz mirëpret vendimin e Iranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

PARIS, 17 prill /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka mirëpritur vendimin e Iranit për të rihapur Ngushticën e Hormuzit për pjesën e mbetur të armëpushimit aktual, por kërkoi që të mos aplikohen kushte.

“Kjo duhet të rregullohet në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar detar, në një mënyrë të tillë që të mos ketë asnjë kufizim”, tha Merz në Paris, pas konsultimeve me udhëheqësit e tjerë evropianë, mbi një mision të mundshëm, për të siguruar lundrimin e lirë në ngushticë pas luftës.

“Irani duhet ta rihapë Ngushticën e Hormuzit, në mënyrë të besueshme, të përhershme dhe pa kërkuar pagesa të asnjë lloji”, tha Merz.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump, në një nga postimet e tij në “Social Truth” – duke konfirmuar rihapjen e ngushticës – tha se “asnjë para nuk do të shkëmbehej në asnjë mënyrë apo formë”, megjithëse fillimisht nuk ishte e qartë se për çfarë po i referohej, saktësisht.

Trump njoftoi dje në mbrëmje se Izraeli dhe Libani kishin rënë dakord për një armëpushim 10-ditor dhe se po planifikonte të ftonte udhëheqësit e dy vendeve fqinje në Shtëpinë e Bardhë për bisedime.

Udhëheqësi gjerman mirëpriti bisedimet e drejtpërdrejta të paqes midis të dyjave, duke i përshkruar ato si një mundësi historike.

Ai i bëri thirrje Hezbollahut të Libanit, i mbështetur nga Irani, të dorëzojë armët, ndërsa i kërkoi gjithashtu Izraelit, të bënte detyrën e tij për të arritur një paqe të qëndrueshme. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›