E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBDNJ në qeveri, ikën Barka, vjen Marto

Kryetari i PBDNJ-së deklaroi dje se shkarkimi i Barkës vjen për punë të dobët. Ky i fundit, kundërshton

TIRANË- Shkarkimi i Kosta Barkës nga posti i Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, është vetëm çështje kohe. Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i ka depozituar dje pak pasmesdite kryeministrit Sali Berisha emrin e ri që do ta zëvendësojë, Andrea Marto. Ky i fundit u shkarkua nga Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka, për mos korrektesë në oraret e punës. Shkarkimin e Barkës e ka konfirmuar zyrtarisht dje kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili theu heshtjen përmes një konference të posaçme për shtyp. “Partia e të Drejtave të Njeriut do të ndryshojë përfaqësimin e vetë në kabinetin aktual qeveritar. Konkretisht z.Kosta Barka, Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale, do ta zëvendësojë në këtë detyrë një përfaqësues i PBDNJ-së konform marrëveshjes me PD-në për koalicionin qeverisës, Andrea Marto”,- tha dje Dule. Kryetari i PBDNJ-së konfirmoi se Berisha e kishte mbështetur propozimin dhe se një ndryshim i tillë, sipas tij, bëhet sepse reformat në fushën sociale nuk kanë ecur ashtu siç duhet. Në këtë mënyrë, Dule mohoi debatin e brendshëm në këtë parti, se ndryshimi në drejtimin e këtij dikasteri, kishte ardhur si rezultat i preferencave personale dhe jo punës së ndjekur nga Kosta Barka. Në konferencën e djeshme për shtyp, Dule ka folur edhe për zgjedhjet e ardhshme elektorale. “Për aleancat në zgjedhjet e ardhshme do të presim hartimin e Kodit Elektoral”,- tha ai.

Kosta Barka

Por Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka, aktualisht Nënkryetar i PBDNJ-së e argumenton krejt ndryshe propozimin për shkarkim.“Unë di se jam ministër, kam bërë një reformim të plotë të gjithë sistemit të mbrojtjes sociale, dhe për projektet në të ardhmen kam siguruar edhe mbështetje të kryeministrit Berisha. Jam i predispozuar për t’iu përgjigjur të gjitha detyrimeve institucionale që kam dhe si ministër jam në performancën më të mirë për t'iu përgjigjur qytetarëve shqiptarë, në mënyrë të veçantë grupeve në nevojë",- tha ai. Barka, la të kuptohet gjithashtu se gjithçka kishte nisur nga shkarkimi që ai i kishte bërë Sekretarit të Përgjithshëm në këtë Ministri, një tjetër përfaqësues i PBDNJ-së, Andrea Marto. “Marto nuk iu përgjigj detyrimit institucional dhe si person përgjegjës para qeverisë, vendosa largimin e tij, sepse jam i detyruar t'i përgjigjem detyrimeve si ministër, që të shëndosh administratën shtetërore”,- tha ai. Megjithatë përpos debateve të brendshme, apo mbështetjeve që ka njëra apo tjetra palë po brenda PBDNJ-së, vendimi duket se është marrë nga kryeministri Sali Berisha. Kosta Barka pritet që të shkarkohet, dhe në zyrën e Presidentit të shkojë një tjetër emërim nga kryeministri Sali Berisha, ai për Andrea Marton.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›