E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiunët, drafti kalon më 9 tetor

Konferenca e Kryetarëve vendos futjen për miratim të draftit në datën 9 Tetor

TIRANË- Projektligji “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve” pritet të kalojë për miratim në Kuvend në datën 9 Tetor. Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare ka vendosur dje kalimin e këtij drafti pas dy javësh e pak ditë. Futja në kalendarin e punimeve të këtij drafti, do të risjellë gjatë këtyre ditëve debatin mes dy forcave kryesore politike në vend. Ndërkohë që për këtë sesion të ri parlamentar, ndryshe nga sa ishte parashikuar, anëtarët e Komisionit të Ligjeve nuk arritën në asnjë përfundim lidhur me mundësinë e hartimit të një drafti të përbashkët, që ka si qëllim pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë të administratës. Të dyja palët në debat, mazhoranca dhe opozita nuk kanë arritur ende të gjejnë gjuhën e përbashkët për hartimin e një drafti të ri nga e para, çka ka bërë që Komisioni i Ligjeve, si komisioni përgjegjës, të shtyjë disa herë diskutimin për këtë çështje. Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për mosgjetjen e një emëruesi të përbashkët. Sipas PD-së, është opozita ajo që nuk pranon të hyjë në diskutime nëpërmjet relatorëve të saj, Arben Isaraj, për hartimin e një drafti të ri së bashku me relatorin demokrat, Aldo Bumçi. Nga ana tjetër, opozita evidenton faktin se relatorët nuk kanë për detyrë të hartojnë projektligjin, por thjesht të japin vlerësimet për të. Ndaj PS prej kohësh ka këmbëngulur në kërkesën e bërë publike dhe zyrtare nga anëtari socialist në Komisionin e Ligjeve, Fatmir Xhafa, për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, i cili duhet të merret pikërisht me hartimin e këtij ligji. Ndërkohë, sa i përket draftit të përfunduar tashmë nga PD, dy janë çështjet ku mazhoranca dhe opozita kanë dallimet e tyre thelbësore: kategoritë e personave që do t’i nënshtrohen verifikimit dhe ndërprerja e mandatit nëse një zyrtar do të rezultonte me dosje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›