PD: Aktet e dhunës, largim me turp nga skena politike e Berishës!

Partia Demokratike deklaroi të shtunën se “aktet e dhunës së sotme kundër Partisë Demokratike shënojnë izolimin final të Sali Berishës dhe largimin me turp nga skena politike”.
Në një reagim, Partia Demokratike thekson se “për të ardhur keq ku përfundoi Sali Berisha, i njëjtë me Edi Ramën e 21 Janarit! Me një grusht njerëzish kërkon të marrë me dhunë Partinë Demokratike për ta kthyer në një bunker, ku të strehojë veten dhe familjen kundër interesit të demokratëve dhe të shqiptarëve”.
“Ka një lajm të mirë në këtë fatkeqësi për Sali Berishën: Ai është i braktisur nga demokratët. Janë më pak se 800 mercenarë në oborrin e PD-së, që ushtrojnë dhunë në këtë përpjekje të turpshme kundër demokratëve”.
Në vijim të qëndrimit zyrtar, PD theksoi pak minuta më vonë teksa mbështetësit e ish-kryeministrit po tentojnë të hapin dyert e blinduara të godinës se “Sali Berisha po rrezikon jetën e dhjetëra demokratëve me aktet e dhunës së sotme! Me një akt të paprecedentë, mercenarët nën urdhrat e tij, po sulmojnë godinën e Partisë Demokratike, duke vënë në rrezik real jetën e drejtuesve më të lartë të Partisë Demokratike në qendër dhe në rrethe, si dhe të dhjetëra demokratëve të tjerë”.
“Gjakderdhja duhet ndalur nga institucionet ligjzbatuese! I bëjmë thirrje institucioneve të ndërhyjnë për të shmangur viktimat e dhunës së Sali Berishës mes demokratëve”, thekson PD.
Protestues të Partisë Demokratike të mbledhur para selisë së kësaj force politike hapën sot me forcë derën e selisë. Mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha kanë rrëzuar dyert e mbyllura të godinës së Partisë Demokratike dhe kanë hyrë në ambientet e katit të parë të selisë duke thyer xhamat.