E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Deklaratat e Edvinit, presion përmes trillimit, për të mos pranuar humbjen


Zëdhënësja e PD Majlinda Bregu në një konferencë për shtyp deklaroi sot në mbrëmje se Rama po trillon me deklaratat e tij për dhunë në qendrat e votimit. Sipas saj, Edi Rama duhet të paraqesë prova nëse i disponon për bllokim të procesit të numërimit të votave nga Partia Demokratike. Rama nuk mund të pranojë atë që është vendosur nga shqiptarët që Berisha të jetë kryeministri që do të udhëheq shqiptarët theksoi Bregu.


Deklarata e plotë


Ndoqëm para pak minutash dy deklaratat e njëpasnjëshme nga Partia Socialiste me trillime dhe pretendime për bllokime, pengime, ndërhyrje në procesin e numërimit të votave në Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor në qarkun Fier.


Ju bëj me dije se në KZAZ-në 20 në Fier që ndodhet në shkollën “Perikli Ikonomi”, në momentin kur po mbyllej procesverbali për të nisur kutitë për numërim në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, është shfaqur kandidati i PS-së Pirro Lutaj, i cili ka debatuar me përfaqësuesit dhe numëruesit e PD-së duke bllokuar dhe vonuar procesin.


Deri tani këto trillime për presione, bllokime dhe ëndërra për agjentë, të cilët sipas PS-së shfaqen duke u bërë presion numëruesve në KZAZ, janë dëgjuar shpesh herë nga Partia Socialiste.


Por unë e ftoj zotin Rama që të bëj publike nëse ka pamje të këtyre kërcënimeve në KZAZ, sikurse kemi bërë ne mbrëmë me KZAZ-në e Rrogozhinës, ku është shfaqur kandidati i PS-së, Andis Harasani.


Z. Rama ka mundësi të vërtetojë nëse bën një akuzë kot apo nëse ka një realitet në atë që thotë sepse ka mundësi që në çdo KZAZ, ku ende vazhdon numërimi ka prezent kamera televizive si dhe janë prezent edhe kamerat e NEWS 24 dhe kamerat e Top Channel.


Prandaj nëse ka edhe një material të vetëm filmik le të tregojë nëse ka patur një herë apo një moment për të vërtëtuar atë që thotë se procesi është bllokuar apo penguar nga përfaqësues të Partisë Demokratike.


Përsa i përket Kryeministrit Berisha, zoti Rama merre me qetësi ! Ky proces kërkon durim, kërkon mbi të gjitha kurajo për të pranuar atë që shqiptarët tanimë e kanë vendosur.


Kryeministri Berisha është votëbesuar nga shqiptarët si Kryeministri, i cili do të drejtojë Shqipërinë e standardeve europiane dhe të paktën për mandatin e ardhshëm 4- vjeçar.


Prandaj të duhet një qetësi shume e madhe që të presësh rezultatin deri në fund.


Pyetje : Zonja Bregu ju i qëndroni asaj që keni deklaruar dhe që u konfirmua edhe nga Kryeministri Berisha për shpalljen e fitores. Zonja Bregu zgjerimi i Koalicionit shkon tek LSI, PS, PBDNJ ?


Znj Bregu : Ajo se çka nuk pritet mirë nga Partia Socialiste në fakt ka të bëje me frikën dhe presionin e brëndshëm që kanë.


Unë e kuptoj ankthin e humbjes që ka mbërthyer gjithë selinë rozë. Sigurisht që ne jemi të interesuar dhe do të bëjmë ç’është e mundur për të vëzhguar deri në numërimin e votës së fundit.


Kjo qeveri është përgjegjëse më shumë se për të konfirmuar mandatin e këtij koalicioni, për të ruajtur standardet e zgjedhjeve në Shqipëri, e cila është fitorja më e madhe . As një qeveri tjetër nuk ka arritur të konsolidojë standarde zgjedhore në të gjithë procesin si këtë radhë.


Përsa i përket asaj se çfarë unë kam deklaruar më parë , e përsëris edhe njëherë ne presim vendimin e KQZ-së. Kam ftuar në deklaratën time të mëparshmee KQZ-në që të bëjë publik rezultatin sapo ai të përfundojë.


Nga ana tjetër rideklaroj dhe rikonfirmoj se koalicioni qeverisës që do të qeverisë Shqipërinë është koalicioni i djathtë.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›