Gjykata Kushtetuese zbardh argumentin për “arrestin e shtëpisë” ndaj Berishës

TIRANË, 7 mars /ATSH/ Gjykata Kushtetuese ka zbardhur të plotë vendimin për ish-kryeministrin Sali Berisha në lidhje me ankesën e tij për masën e dhënë në “arrest shtëpie”.
Kushtetuesja bën të ditur se kërkesa e Berishës për të rrëzuar vendimin e GJKKO-së nuk qëndron, duke treguar në vendimin e saj prej 55 faqesh, gjithë argumentet ku bazohej rrëzimi i ankesës. Kushtetuesja e cilëson të ligjshëm arrestin në shtëpi.
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se masa e sigurisë “arrest shtëpie” iu dha pasi ai nuk respektoi masën e parë “detyrim me paraqitje” dhe ky vendim nuk ishte arbitar.
“Gjykata vëren se me kërkesën e datës 22.12.2023, Prokuroria e Posaçme, bazuar në nenet 228-232, 237, 244 dhe 260 të KPP-së, ka kërkuar nga gjykata zëvendësimin e masave të sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të vendosura më parë ndaj kërkuesit, me masën e sigurimit personal “Arresti në shtëpi”, për shkak se kërkuesi nuk ka zbatuar vendimin e gjykatave, edhe për pasojë edhe një prej masave të sigurimit personal të vendosur më parë ndaj tij, duke mos u paraqitur asnjëherë përpara Policisë Gjyqësore”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Vendimi nuk rezulton të jetë arbitrar, alogjik, kontradiktor ose i paqartë në përmbajtjen dhe vlerësimin e tij. Për rrjedhojë vendimi i Kolegjit Penal nuk vë në dyshim respektimin e së drejtës për proces të rregullt në drejtim të aksesit dhe standardit të arsyetimit të tij”, thuhet në vendim.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, “Gjykata çmon se pretendimi i kërkuesit për cenimin e procedurës parlamentare për heqjen e imunitetit, nuk është i bazuar”.
Berisha u përball me masë shtrënguese për shkak se nuk u paraqit asnjëherë para oficerit të policisë gjyqësore, siç kishte kërkuar Gjykata e Posaçme.
/a.f//r.e/