E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Komisioni hetimor nis punën javën tjetër

Topalli me dy standarde, pranoi kërkesën e socialistëve për tërheqjen nga pr/ligji dhe refuzoi atë për tërheqjen nga komisioni



TIRANË - Me gjithë kundërshtimin e opozitës, mazhoranca qeverisëse është e vendosur për të çuar deri në farsën e saj për ngritjen e komisionit hetimor që mendohet të kryejë transparencën e zgjedhjeve të Qershorit të shkuar pa hapur kutitë e votimit. Megjithëse ky komision u miratua vetëm me votat e mazhorancës, pa konsensusin e përfaqësuesve të opozitës, të cilët i tërhoqën nismat e tyre, shumica do të fillojë mbledhjen e komisionit hetimor që javën e ardhshme edhe pa pjesëmarrjen e deputetëve socialistë. Deputeti demokrat, Edurad Halimi, në një prononcim për mediat theksoi se komisioni do të fillojë punën e tij procedurale, ashtu si të gjitha komisionet e tjera hetimore.

"Ne javën tjetër besoj se do të fillojmë mbledhjen e komisionit, sepse komisioni ka një axhendë, funksionon në bazë të rregullave të këtij shteti dhe komisioni do të mblidhet", - tha Halimi dje për mediat. Ai ftoi deputetët e spektrit opozitar që të marrin pjesë në këtë komsion për të dhënë kontributin e tyre për transparencën e zgjedhjeve, megjithëse puna e këtij komisioni nuk parashikon hapjen e kutive të votimit. "Sigurisht që të gjithë deputetët janë të mirëpritur ashtu siç janë të mirëpritur edhe në Parlament, do të jenë të mirëpritur edhe në komisionin hetimor dhe që do të vazhdojë ashtu si gjithë komisionet hetimore të tjera, me përcaktimin e planit të hetimit, e provave që do të merren, me përcaktimin e procedurave të tjera hetimore që do të ketë komisioni",- tha dje Halimi.

Por pavarësisht këtyre provokimeve të shumicës, opozita është e vendosur për të mos e njohur këtë komision, i cili, sipas saj, është i paligjshëm për sa kohë është ngritur nga mazhoranca pa pasur një kërkesë të shkruar. Ndaj këtyre akuzave ka reaguar dje kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila nëpërmjet zëdhënëses së saj, Suela Ruseti, ka sqaruar edhe një herë se procedura e ndjekur në seancën e së premtes për miratimin e komisionit ishte konform rregullores së këtij institucioni. Sipas Rusetit, asnjë nga deputetët nismëtarë të Partisë Socialiste nuk kishte paraqitur kërkesë pranë kryetares së Kuvendit për t'u tërhequr nga nismat e tyre, çka bëri që kryetarja e të vijoj votimin për ngritjen e komisionit.

"Konfirmojmë zyrtarisht se deri në këtë moment asnjë nga deputetët nismëtarë nuk kishte depozituar kërkesë për tërheqje nga nisma. Në këto kushte, Kryetarja e Kuvendit, në zbatim të detyrës dhe të Rregullores, u kërkoi deputetëve nismëtarë të deklaronin nominalisht vullnetin e tyre për tërheqje nga nisma. Me përjashtim të zotit Taulant Balla asnjë nga koleget e zotit Ruçi nuk u bashkua me të. Mungesa e deklarimit me shkrim dhe mungesa e deklarimit në seancë për tërheqje nga nisma, janë fakte që përgënjeshtrojnë çdo lloj pretendimi për shkelje të procedurave", - thotë zëdhënësja e Kuvendit. Një argument ky që duket se nuk ka shumë baza të forta dhe që nuk justifikon vendimin e kryeparlamentares Topalli për të vijuar votimin e nismës së PS-së për ngritjen e komisionit, pavarësisht se kjo e fundit nëpërmjet kryetarit të grupit parlamentar, Gramoiz Ruçi, u deklarua qartazi për tërheqjen e dy nismave. Kjo, pasi vetë mazhoranca duke iu referuar pikërisht deklaratës së bërë nga Ruçi në Kuvend, pranoi tërheqjen e grupit socialist nga nisma tjetër, ajo për ndryshimin e ligjit. Nga kjo del se në rast se do të ishte e nevojshme që të bëhej një deklarim nominal i të gjithë deputetëve firmëtar nga nismat e tyre, atëherë kryetarja e Kuvendit nuk duhet të kishte pranuar tërheqjen e grupit socialist as nga nisma e parë, ajo për ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore.

Pra, nëse e marrim të mirëqenë pretendimin e mazhorancës se deputetët e opozitës nuk u deklaruan nominalisht nga tërheqja e nismave të tyre, një arsyetim i tillë nuk qëndron, përderisa mazhoranca nga njëra pranoi kërkesën për tërheqjen e projektligjit dhe nga ana tjetër refuzoi atë për ngritjen e komisioneve hetimore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›