Arkivat, Rektorati dhe Prokuroria përballen në gjykatë

DOSJET/ Rektorati i Tiranës ka kundërshtuar vendimin e prokurorisë në gjykatë për "transferimin e arkivës"
TIRANË- Universiteti i Tiranës iu drejtohet togave të zeza, duke kërkuar kundërshtimin e vendimit të prokurorisë për mosfillim të hetimeve për çështjen e "transferimit" të arkivës së këtij universiteti. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare të universitetit të kryeqytetit dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, ku kancelaria e kësaj të fundit me ndihmën e shortit elektronik ka caktuar gjyqtarin Altin Abdiu për gjykimin e çështjes. Sipas dosjes me nr.574 të regjistruar pranë togave të zeza me datë 18 mars 2010, paditësi Universiteti i Tiranës i përfaqësuar nga rektori Dhori Kule, kundërshton vendimin me nr. 4548 të prokurorisë së Rrethit Tiranë, për mosfillimin e hetimit për shkak se nuk ka elemente të veprës penale. Këto pretendime prokurori i çështjes pritet t'i mbrojë edhe para gjyqtarit Altin Abdiu, i cili do të dëgjojë pretendimet e palës paditëse, që është Universiteti i Tiranës dhe më pas do të vendosë për drejtimin e çështjes.
Sipas burimeve zyrtare nga prokuroria e kryeqytetit, mësohet se gjithçka ka filluar me datën 17 shtator 2009, kur përfaqësuesit e Universitetit të Politeknikut kanë hapur derën një dhome në katin e dytë të Korpusit Qendror, pjesë përbërëse e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, brenda së cilës ndodhej arkiva e Universitetit të Tiranës që nga vitit 1957. Me hapjen e derës, sipas hetimeve, janë zhvendosur të gjitha materialet nga kati i dytë i asaj dhome në një ambient në katin e gjashtë, ku janë vendosur në rafte metalike ashtu siç kishin qenë të sistemuara në vendin e mëparshëm. Ky transferim është kryer nga punëtorë të ndryshëm, studentë dhe përfaqësues të Universitetit të Politeknikut, pa prezencën e asnjë personi nga Universiteti i Tiranës apo vetë punonjësja e arkivës së këtij institucioni. Ky veprim, sipas rektoratit që ka bërë kallëzimin në prokurori, është i kundraligjshëm pasi të gjitha veprimet janë kryer pa prezencën e punonjëses, duke hedhur dyshime edhe për vjedhjen apo humbjen e ndonjë materiali me vlerë që ndodhej në këtë arkiv që nga vitit 1957.
Vetë drejtuesit e Politeknikut të pyetur nga prokuroria kanë mohuar se mund të ketë humbur apo vjedhur ndonjë materiale, duke pretenduar se akuzat e rektoratit janë thjesht për qëllime të caktuara. Por, sipas kallëzuesit, veprimet e Politeknikut për zhvendosjen e arkivës mund të kenë pasur edhe qëllime të tjera përfitimi, për të cilat është kërkuar të zbardhen nga prokuroria. Sipas këtyre të fundit, nga vera e vitit 2009, me anë të një shkrese drejtuesit e Universitetit të Politeknikut i kanë kërkuar rektoratit të Universitetit të Tiranës të zhvendosë arkivën e saj nga ndërtesa e tyre për shkak se institucioni kishte nevojë për ambiente. Por përfaqësuesit e Universitetit të Tiranës nuk kanë preferuar që të tërheqin arkivën, duke kërkuar që me ndihmën e një komisioni të përbashkët ta zhvendosin atë në katin e gjashtë. Edhe pse kishin rënë dakord parimisht, komisioni nuk ishte ngritur ndonjëherë. Pas heshtjes disamujore, përfaqësuesit e Politeknikut me një vendim të brendshëm kanë kryer zhvendosjen e arkivës nga kati i dytë i ndërtesës së Korpusit Qendror në katin e gjashtë. Pas zhvendosjes, arkivistja e Universitetit të Tiranës e kishte konstatuar këtë fakt dy ditë më pas, ku edhe me ndihmën e drejtorisë juridike të rektoratit të Tiranës është bërë kallëzimi penal për "shpërdorim të detyrës" të personave përgjegjës. Por prokuroria nga hetimet dhe verifikimet disamujore kishte arritur në përfundim se nuk ka vepër penale, duke vendosur pushimin e çështjes, për të cilën Universiteti i Tiranës nuk është dakord. Si rrjedhojë ka kërkuar verifikimin një për një të të gjitha materialeve që ndodhen aty.