E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi socialist, sot vendimi për bojkotin dhe protestat

Partia Socialiste nis konsultimet për hapat politikë që do të hedhë në vijim. Sot në orën 11, mbledhja jashtë radhe e grupit



Në mbledhje do të diskutohet për raportet që do të vendosen me Kuvendin, si dhe për valën e re të protestave

Dështimi i përpjekjeve për të zgjidhur krizën politike nëpërmjet dialogut parlamentar i ka vënë socialistët përballë një situate të re, jo fare të papritur, por që natyrisht kërkon një vendimmarrje të strukturave drejtuese të partisë lidhur me hapat që do të ndërmarrë qoftë në raport me Kuvendin ashtu edhe për protestat. Për këtë qëllim, selia rozë ka vendosur të mos humbas kohë, por të nisë menjëherë konsultimin me forumet partiake të qëndrimit që do të mbajë për këto dy çështje. I pari, radhën e ka grupi parlamentar, i cili është thirrur sot në një mbledhje jashtë radhe për të diskutuar pikërisht dy çështjet e mësipërme, marrëdhënien me Kuvendin dhe protestat.

Mbledhja
Pavarësisht se e diel, sot në orën 11 është thirrur mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Siç mësohet nga burime pranë grupit, në rend të ditës do të jenë dy çështje, diskutimi dhe vendimmarrja për raportin që do të vendoset tani e tutje me Kuvendin e Shqipërisë, si dhe angazhimi që do të marrë secili deputet në valën e re të protestave që pritet të nisin në ditët në vijim. Pavarësisht se nuk ka një projekt të shkruar për këtë vendimmarrje, mësohet se marrëdhëniet mes grupit socialist dhe institucionit të Kuvendit nuk mund të jenë më normale. Çka do të thotë se nuk përjashtohet vijimi i bojkotit të këtij institucioni, por duke lënë të hapur mundësinë e pjesëmarrjes në seanca të veçanta të Kuvendit, ku mund të diskutohen nisma të rëndësishme që kanë të bëjnë kryesisht me integrimin e vendit.

Megjithatë, nga sa mësohet nuk përjashtohet mundësia edhe e bojkotit total të Kuvendit për sa kohë mazhoranca nuk pranon të bëjë transparencën e zgjedhjeve parlamentare. Një qëndrim të tillë të pritshëm e ka paralajmëruar dje edhe vet kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili ka theksuar se pavarësisht vendimmarrjes së forumeve drejtuese, për shkak edhe të asaj që ndodhi në seancën e fundit, nuk mund të ketë më marrëdhënie normale me Kuvendin. Natyrisht, pjesë e diskutimeve do të bëhet edhe qëndrimi për komisionin hetimor që miratoi seanca e fundit plenare e Kuvendit, pavarësisht se selia rozë ka deklaruar se nuk e njeh atë. Vet shqyrtimi i këtij raporti mes PS-së dhe institucionit ligjvënës pritet të bëhet objekt debatesh në grup, pasi tashmë dihet qëndrimi kundërshtues që mbajnë disa deputetë të njohur si përfaqësues të LMN-së ndaj bojkotit.

Protestat
Një pikë e rëndësishme e rendit të ditës së mbledhjes së grupit do të jetë edhe ajo për organizimin e protestave qytetare në të gjithë vendin. Për këtë çështje, natyrisht nuk pritet të ketë shumë debat, pasi kjo është një temë e ezauruar tashmë edhe gjatë turit sqarues që kreu socialist mbajti në qytetet kryesore të Shqipërisë gjatë ditëve të shkuara. Ndaj, në mbledhjen e sotme pritet të flitet më shumë për hartën e shpërndarjes së tyre, si dhe për çështjet organizative në teren dhe rolin që do të luajnë deputetët e secilit qark. Për këtë çështje, dy ditë më parë kreu socialist takoi edhe drejtuesit e partisë në bazë, të cilëve u dha udhëzime të qarta për ngritjen e valës së protestave. Pas grupit pritet të mblidhet edhe tryeza e aleatëve, si dhe forumet e tjera drejtuese si kryesia.

Gumi: Do të zbatojmë vendimin e Kuvendit

TIRANË - Mazhoranca qeverisëse kërkon që të rikthejë sërish në Kuvend opozitën edhe pse dy ditë më parë nuk mori parasysh nismat e saj për hapjen e kutive të votimit, duke miratuar vetëm amendamentet e veta për ngritjen e komisionit hetimor me qëllim kryerjen e transparencës së zgjedhjeve të Qershorit pa hapur kutitë e votimit. Përfaqësuesit e shumicës kanë vijuar dje lojën e tyre, duke kërkuar nga deputetët e opozitës t'i bashkohen mazhorancës në punën e komisionit hetimor, i cili u ngrit vetëm me votat e shumicës. Deputeti Viktor Gumi në një deklaratë për shtyp theksoi se deputetët socialistë duhet të marrin pjesë në këtë nismë të Parlamentit dhe se transparenca e zgjedhjeve që PS-ja ka kërkuar për 7 muaj ka qenë thjesht një tymnajë.

"Partia Demokratike fton Partinë Socialiste dhe zotin Edi Rama dhe të gjithë deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për të marrë pjesë aktivisht në nismën e Kuvendit për transparencën e zgjedhjeve të Qershorit 2009, në përputhje me vendimin e djeshëm të miratuar prej Kuvendit. Për zgjedhjet më të mira që kanë pasur shqiptarët këto 20 vjet, dje socialistët treguan se nuk iu intereson transparenca, por tymnaja dhe vetëm tymnaja për çështjen e zgjedhjeve", - tha dje Gumi. Ai vuri në dukje se mazhoranca me miratimin e amendamenteve të paraqitura nga Partia Demokratike, hapi rrugën për të kryer transparencën e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Në miratimin e këtyre amendamenteve grupi parlamentar demokrat e ka pranuar ngritjen e komisionit hetimor, por puna e këtij komisioni do të kufizohet në objektin e hetimit duke mos hapur kutitë e votimit, pasi sipas qëndrimit standard të mazhorancës, hapja e kutive bie ndesh me vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe Kushtetutën e vendit.

Deputeti demokrat nënvizoi gjithashtu se me miratimin e nismës për ngritjen e komisionit hetimor Parlamenti i ka dhënë fund njërës prej çështjeve më delikate të jetës politike shqiptare përgjatë këtyre 7 muajve. "Tani ajo që mbetet është zbatimi në praktikë i vendimit të Kuvendit. Mazhoranca deklaron se do t'i qëndrojë të gjithë atyre premtimeve të bëra publikisht, duke realizuar kështu edhe parakushtet e tjera të deklaruara për arritjen e konsensusit politik, me qëllim ushtrimin e rolit kontrollues të Kuvendit në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin" , - u shpreh ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›