E Martë, 3 Nëntor 2026

PD: Mbi 200 denoncime për krime zgjedhore në KQZ, mbi 30 kallëzime në SPAK

TIRANË, 9 maj /ATSH/ Partia Demokrati bëri të ditur sot se i ka referuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbi 200 denoncime zyrtare në lidhje me krimet zgjedhore.

Drejtuesja e taskforcës për monitorimin e zgjedhjeve PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, Albana Vokshi tha në një deklaratë për shtyp se janë referuar mbi 30 kallëzime zyrtare në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe në Prokurorinë e Përgjithshme.

Vokshi falënderoi qytetarët që reagojnv e nuk pranojnë shantazhin, sipas saj, të patronazhistëve.

“Të gjitha dëshmitë që na kanë ardhur dhe janë verifikuar nga strukturat e Partisë Demokratike i janë referuar KQZ-së, pranë së cilës kemi bërë denoncime zyrtare, mbi 200 denoncime zyrtare, dhe po ashtu i kemi referuar edhe strukturës speciale të krijuar në bashkëpunim me SPAK-un dhe Prokurorinë e Përgjithshme. I kemi referuar mbi 30 kallëzime zyrtare. Por gjithashtu kemi bërë edhe denoncime në faqen e portalit të publikuar nga ana e SPAK-ut”, tha Vokshi.

Vokshi theksoi se SPAK-u t’i marrë në shqyrtim të gjitha rastet e denoncuara.

“Dua të vë në dukje faktin që në 2 ditët e fundit portali ka rënë. Ne nuk kemi mundur ta përdorim në këto 2 ditë për të bërë dhjetëra denoncime që na kanë ardhur nga ana e qytetarëve dhe strukturave të Partisë Demokratike, dhe kemi përdorur e-mailin e vënë në dispozicion vetëm për informacion shtesë. Shpresoj shumë që SPAK-u t’i marrë në shqyrtim të gjitha rastet e denoncuara”, tha Vokshi.

Sipas saj, gjetjet kryesore të raporteve, me përmbledhje, tregojnë se që nga muaji mars deri në ditët e fundit, është vënë re përshkallëzimi i blerjes së votës. “Të gjitha raportet tregojnë një rritje të ndjeshme të rasteve të blerjes direkte të votës, veçanërisht në zonat rurale apo në komunitetet e varfra”, tha Vokshi. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›