E Martë, 3 Nëntor 2026

LVIV – Gjermania njofton 40 milionë euro shtesë ndihmë humanitare për Ukrainën

LVIV, 9 maj /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul tha sot se Gjermania do t’i ofrojë Ukrainës 40 milionë euro shtesë (45 milionë dollarë) ndihmë humanitare, ndërsa u takua me ministrat e Jashtëm të BE-së.

“Ne po tregojmë se Evropa qëndron me Ukrainën dhe po u kujtojmë njerëzve se regjimi nazist u mund, gjithashtu ndjeshëm nga ushtarët ukrainas”, tha Wadephul gjatë një takimi joformal të diplomatëve të BE-së, në Ukrainën perëndimore.

Përfaqësuesit pranuan se shumë grupe të tjera që atëherë ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik kishin ndihmuar në mposhtjen e Gjermanisë naziste.

“Ne nuk do të lejojmë që kjo ditë përkujtimi, e cila është plotësisht e justifikuar, të përdoret për të justifikuar luftën e sotme kundër Ukrainës. Kjo do të ishte një shtrembërim i historisë, që nuk do t’i bënte drejtësi as Ukrainës dhe as historisë së Evropës në tërësi”, shtoi ai.

“Kjo është një luftë krejtësisht e pakuptimtë, një luftë që merr viktima çdo ditë”, tha Wadephul – pasi vizitoi qendrën e rehabilitimit për ushtarët e plagosur rëndë dhe një varrezë, së bashku me diplomatët e BE-së.

Diplomati gjerman vuri në dukje një frymë solidariteti me Ukrainën midis kolegëve të tij të BE-së: “Ne qëndrojmë së bashku”, theksoi ai.

Wadephul përshëndeti gjithashtu përpjekjet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të siguruar një armëpushim 30-ditor midis Rusisë dhe Ukrainës – si një hap i parë drejt një zgjidhjeje paqësore.

Pas nje bisede telefonike “shumë pozitive dhe konstruktive” dje – midis kancelarit gjerman, Friedrich Merz dhe presidentit amerikan, Donald Trump – qeveria gjermane synon të nxisë perpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e paqes.

Wadephul ka planifikuar të diskutojë sot në mbrëmje luftën në Ukraine me homologun e tij amerikan, Marco Rubio. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›