E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Më 1 Maj, koncerti festiv do mbahet në shesh

TIRANË - Punimet e nisura për rikonstruksionin e sheshit "Skënderbej" nga Bashkia e Tiranës dhe paralajmërimi nga opozita për zgjatjen e protestave përtej datës 30 prill, mund të sjellin një përplasje me militantët e Partisë Demokratike, e cila më datën 1 maj do të zhvillojë një "antiming" ndaj protestave të opozitës.


Protestat e paralajmëruara nga opozita për të zhvilluar aksionin e saj politik përmes kërkesës së vazhdueshme për të hapur kutitë e votimit si rrugë për zgjidhjen e krizës politike, do të kulmojnë më datën 30 prill, por parashikohet edhe zgjatja e tyre përtej kësaj date. Ndërsa një ditë pas protestave të opozitës, më 1maj, në ditën e punëtorëve, Partia Demokratike do të zhvillojë një antimiting, të cilin ajo e konsideron si një koncert festiv.


Zhvillimi i këtyre ngjarjeve në një ditë dhe mundësisht në të njëjtat vende mund të çojë edhe ne ndonjë përplasje edhe pse burimet zyrtare nga "selia blu" bënë më dije se eventi që do të organizojë Partia Demokratike në bashkëpunim me ministrinë e Kulturës do të jetë vetëm koncert festiv.


Një tjetër problem, që pritet të shfaqet është edhe vendi se ku do të organizohet eventi. Edhe pse Bashkia e kryeqytetit po kryen punimet mbi sheshin qendror, ky vend
do të shfrytëzohet për të organizuar koncertin e festiv, që sipas përfaqësuesve të djathtë bëhet në kuadrin e arritjeve të Shqipërisë, si 1 vjetorit të anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, procesi i liberalizimit të vizave si dhe për procesin drejt integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.


Megjithëse nga partia në pushtet, ende nuk është vendosur për teknalitetet e organizimit në tërësi të "festës", sipas qëndrimit zyrtar të PD-së, bëhet e ditur se do të jetë sheshi "Skënderbej" që do të vihet në funksion, ashtu siç është vendosur historikisht nga "selia blu" për të zhvilluar evenimente politike, festive dhe protesta.


Organizimin e "festës" si përgjigje në fakt ndaj protestave të opozitës, Partia Demokratike ia ka faturuar Ministrisë së Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, edhe pse ishte vetë nënkryetari i kësaj force politike, Astrit Patozi që deklaroi fund muajin e kaluar se Partia Demokratike do të kryejë një event festiv më 1 maj, pikërisht një ditë pas kulmimit të protestave të opozitës. Mazhoranca e ka aplikuar këtë formë të antimitingjeve edhe vitin e kaluar ndaj protestave të opozitës.


Protesta treditore e opozitës në 20 nëntorin e vitit 2009 përballë selisë së Kryeministrisë, u pasua me reagimin e Partisë Demokratike pak javë më pas, më 8 dhjetor, duke e shndërruar koncertin festiv në formën e një antimitingu nëpërmjet prurjes së gjithë administratës shqiptare në sheshin "Skënderbej", në po të njëjtin shesh ku pritet të mbahet koncerti i radhës, kësaj here më 1 Maj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›