E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: PS bllokoi statusin, Rama fushatë kundër imunitetit

Partia Demokratike akuzoi liderin socialist për rreshtim të mediave që kontrollon në fushatë absurde kundër heqjes së imunitetit. Në një deklaratë për media, zëdhënësja e kësaj partie Silvi Bardhi tha se më këtë qëndrim Rama dhe miliardierët imunitarë të Partisë Socialiste që i bllokojnë për të tretin vit me rradhë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, dëshmojnë qartë dhe perfundimisht se ata nuk mund të pranojnë kurrësesi heqjen e imunitetit.
 

“Pasi bllokoi më datë 6 gusht heqjen e imunitetit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, z.Edi Rama ka angazhuar mediat që kontrollon dhe specialistët e Partisë në një fushatë absurde dhe të diskretituar botërisht kundër heqjes së imunitetit nëpërmjet referendumit popullor si një e drejtë kushtetuese e qytetarëve shqiptarë.
 

Me këtë qëndrim z.Rama dhe miliardierët imunitarë të Partisë Socialiste që i bllokojnë për të tretin vit me rradhë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, dëshmojnë qartë dhe perfundimisht se ata nuk mund të pranojnë kurrësesi heqjen e imunitetit sepse janë të tmerruar nga origjina e qindra miliarda lekëve të kupolës së Partisë.Çdo qytetar konstaton se z. Rama dhe zëdhënësit e tij, bllokimin e heqjes së imunitetit dhe të marrjes së statusit të vendit kandidat po e gërshetojnë këto ditë me mbrojtjen fanatike të përditshme të pasurive të miliardierëve në krye të Partisë Socialiste dhe origjinës së këtyre pasurive nga fshehja e taksave, kontrabanda, trafiqet kriminale, ndërtimet pa leje dhe grabitja e pronave” tha Bardhi.
 

Në këtë kontekst PD tha se Rama dhe zëdhënësit e tij kanë harruar dhe nuk flasin më për rrogat, pensionet, punësimin dhe ndihmën ekonomike që janë dhe interesat jetike të qytetarëve të thjeshtë, ndërsa shtoi se udhëheqja e Partisë Socialiste që kundërshton prej 10 vitesh me radhë heqjen e imunitetit dhe tani së fundi bllokoi për të tretin vit me rradhë statusin e vendit kandidat, beson verbërisht se imuniteti është si të thuash, këmisha e tyre e lindur që i qëndron në AND-në e neobllokmenëve të trashëguar nga etërit e tyre, prandaj dhe ata që e ndjejnë veten si të lindur me imunitet nuk mund të pranojnë kurrë ta heqin atë dhe të barazohen para ligjit me qytetarët e thjeshtë, pavarësisht dëmit të pallogaritshëm që i bëjnë vendit, para së gjithash duke bllokuar statusin e vendit kandidat dhe integrimin e tij në Bashkimin Europian.
 

Në kontrast me PS, Bardhi tha se Partia Demokratike lufton prej 10 vitesh për arritjen e një marrëveshjeje për heqjen e imunitetit dhe është ajo që pranoi korrikun e kaluar të gjitha amandamentet e Partisë Socialiste për ligjin për heqjen e imunitetit, pasi e konsideron heqjen e imunitetit jetike për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve si dhe për luftën kundër krimit dhe korrupsionit që përdorin si mburojë murin e imunitetit.
 

Në këtë kontekst mazhoranca mbetet e sigurt dhe e bindur se do të jenë qytetarët shqiptarë që në referendumin popullor me votën e tyre të lirë do të shembin së shpejti murin e imunitetit që i ndan ata nga deputetët, qeveritarët dhe gjykatësit e tyre, do të shndërrojnë Shqipërinë në vendin e qytetarëve të barabartë para ligjit në një vend me të ardhme të sigurt Europiane, të cilën ata e meritojnë.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›