E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, pakt kundër partive të vogla

Komisioni i Reformës Zgjedhore

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste vendosin të mos ndryshojnë sistemin zgjedhor. Komisioni i Reformës Zgjedhore ka miratuar dje axhendën e punës për tre muajt e ardhshëm, pjesë e së cilës janë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, por jo kërkesat e partive të vogla për ndryshimin e sistemit elektoral në proporcional kombëtar me korrigjim të votës. Axhenda e punës ka shkaktuar debate në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Reformës, çka ka pasuar dhe acarimin e toneve me përfaqësuesit e partive të vogla. Sipas burimeve mësohet se PD dhe PS, me konsensus, kanë refuzuar të përfshijnë në axhendën e punës kërkesat e paraqitura nga Partia Republikane dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Debati
Lënia jashtë e kërkesës kryesore të partive të vogla ka bërë që Fatmir Mediu dhe Vangjel Tavo të largohen më parë nga punimet e Komisionit të Reformës Zgjedhore. I kontaktuar në telefon, nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Tavo, deklaroi se demokratë dhe socialistë, në dakordësi të plotë, i mbyllën derën ndryshimit të sistemit. Komisioni i Reformës Zgjedhore, që duhet të ishte konsensual, është kthyer në një variant bipartizan. Ata kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe po përsërisin precedentin e vitit 2009. I njëjti skenar që dy forcat po sjellin një draft përfundimtar dhe nuk po marrin parasysh kërkesat tona. Drafti vjen i parapërgatitur nga dy forcat politike, deklaroi Vangjel Tavo. Bashkëkryetari i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, theksoi se kërkesa për ndryshimin e sistemit do të shqyrtohet në një fazë të dytë, pasi do të duhet arritja e një konsensusi më të gjerë politik. Partitë e vogla kanë interes ndryshimin e sistemit zgjedhor. Por, Komisioni nuk mund të mbajë peng punën për çështjet e tjera që janë po aq imediate, që kanë të bëjnë me standardet zgjedhore. Në axhendë janë përfshirë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it që kanë të bëjnë me problemet që kemi hasur në sistemin zgjedhor, theksoi Gjiknuri. Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, deklaroi se nuk do të marrë pjesë në mbledhjet e tjera të Komisionit të Reformës Zgjedhore nëse nuk do të përfshihet në axhendën e punimeve ndryshimi i sistemin elektoral.
Kalendari
Të vegjlit i druhen faktit se mospranimi i kërkesave të tyre dhe mbyllja e axhendës tremujore korrespondojnë me përfundimin e mandatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Sipas Vangjel Tavos, Komisioni po keqpërdor partitë e vogla. Nuk duhet të përdoren partitë e vogla si fasadë dhe për ti thënë OSBE/ODIHR-it që në tryezë ishin të pranishëm dhe partitë e vogla. Uroj që kjo dashuri midis PD-së dhe PS-së të mos jetë si në 2009-n, ku më pas kjo dashuri e madhe solli një problem shumë të madh dhe të këqija me pasoja sociale, pohoi Tavo.

propozimi
Komisioni i Reformës Zgjedhore ka caktuar datën 20 dhjetor për realizimin e konsultimit me partitë joparlamentare që kanë marrë 1% të votave në lokalet e 2011-s. Po ashtu, brenda kësaj date do të realizohen konsultat me KQZ-në, Ministrinë e Brendshme dhe OJF-të që monitorojnë zgjedhjet.

PLANI I PUNËS I KOMISIONIT TË REFORMËS ZGJEDHORE
1.    Regjistrimi i subjekteve e kandidatëve – (dhjetor 2011)
2.    Fushata zgjedhore – (dhjetor 2011)
3.    Media në fushatën zgjedhore – (dhjetor 2011)
4.    Financimi i zgjedhjeve – (dhjetor 2011)
5.    Regjistrimi i zgjedhësve – (janar mars 2012)
6.    Procedurat e votimit – (janar mars 2012)
7.    Numërimi i votave – (janar mars 2012)
8.    Nxjerra dhe shpallja e rezultatit – (janar mars 2012)
9.    Administrata zgjedhore – (janar mars 2012)
10.    Procesi i ankimit – (janar mars 2012)

FATION BINJAKU

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›