E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS replika per nisjen e negociatave me nderhyrjen e diplomateve

02/02/2011  Opozita e pozicionuar në protesta dhe në dialog me ndërkombëtarët

Rama: Gati për kompromis real e të qëndrueshëm

Oli Xhilaga

“E mirëpresim, një orë e më parë, ndërhyrjen dhe ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar për trajtimin e zgjidhjen e krizës së rëndë të vendit”. Me një fjali të tillë nisi dje deklaratën e tij për shtyp kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Nisur nga situata aktuale në vend, si dhe nga mesazhet që faktori ndërkombëtar lëshon për çdo ditë për klasën politike shqiptare në funksion të gjetjes së zgjidhjes mes saj, lidershipi socialist preferoi të japë dhe një herë tjetër dje pozicionin e partisë më të madhe opozitare. Në këtë mënyrë, referuar pikërisht ligjëratës së vetë kreu socialist, Rama, tashmë Partia Socialiste është e vendosur për ti shkuar deri në fund realizimit të kërkesës së saj për largimin e qeverisë “Berisha”. E kjo përpjekje e shtrirë në dy drejtime, në atë të organizimit të protestave qytetare në të gjithë vendin dhe nga ana tjetër ulja në tryezën e dialogut, duke pasur si kërkesë të panegociueshme pikërisht largimin e Kryeministrit Berisha.

Deklarata

Kryetari i PS-së, Edi Rama, shprehu gatishmërinë e partisë që ai drejton për tu ulur në tryezën e dialogut me faktorin ndërkombëtar, për të nxjerrë vendin nga kriza e tejzgjatur politike. “Duke e falënderuar baroneshën Ashton dhe komisionerin Fule, që kanë bërë të qartë shqetësimin serioz e gatishmërinë për të ndërhyrë në një proces ndërmjetësimi, ne përsërisim se dialogu e kompromisi janë pjesë e patjetërsueshme e vizionit tonë të zhvillimit demokratik të Shqipërisë”, vuri në dukje Rama gjatë konferencës së tij për shtyp. Njëkohësisht duke i mëshuar më tej këtij qëndrimi, kreu i socialistëve nënvizoi se “jemi gati të dialogojmë e të kërkojmë kompromisin në të mirë e interes të Shqipërisë e shqiptarëve; çdo mik e partner i këtij vendi, që ka sot vullnetin për të ndihmuar në rrugën e vendosjes së dialogut politik dhe të kërkimit të një kompromisi real e të qëndrueshëm gëzon respektin, mirënjohjen e mikpritjen tonë në çdo çast”.

Qëndrimi

Gjatë fjalës së tij, Rama sqaroi se “me dorën e shtrirë të paqes, që nxjerr Shqipërinë nga kriza përditë e më e thellë, që u jep shqiptarëve mundësinë të përfitojnë qetësinë e zhvillimin e munguar demokratik, që u jep institucioneve kushtetuese mundësinë të funksionojnë në pavarësi e normalitet, ne do të vazhdojmë të përmbushin misionin opozitar, duke demonstruar në rrugën e rezistencës paqësore”. Sipas tij, Tirana, Lezha, Vlora e Korça janë thirrur në demonstratë të premten, më 4 shkurt, për të shprehur kundërshtinë me regjimin e kusarisë, për të kërkuar dorëzimin e 6 komandantëve të Gardës në prokurori, për të kërkuar rifutjen në kornizën e ligjit të Policisë së Shtetit, për të kërkuar një drejtësi të drejtë dhe një zgjidhje të re politike në emër të Shqipërisë evropiane.

Kërkesa e PS-së

“Një zgjidhje të re politike, që i jep popullit të drejtën të shprehet me votën e vet të lirë”. Kjo ishte kërkesa e Partisë Socialiste lidhur me zgjidhjen e krizës politike në vend. Ishte vetë kreu i PS-së, Edi Rama, ai i cili bëri dje publike një kërkesë të tillë, si pikënisje për dialogun me faktorin ndërkombëtar. Ndërkohë grupi parlamentar socialist ka vendosur të bojkotojë punimet në komisionet e përhershme parlamentare të Kuvendit. Nga ana e tyre, ligjvënësit socialistë do të jenë pjesë e seancave parlamentare, duke synuar që të kthejnë në betejë kundër vrasësve të tre protestuesve në demonstratën e 21 janarit çdo seancë që do të zhvillohet në këtë institucion. Po kështu, Partia Socialiste po përgatit dosjet përkatëse të vrasësve të 21 janarit dhe dhunuesve të protestuesve në rajonet e policisë.

Vendimi

Partia Socialiste u bëri thirrje sërish dje mbështetësve të saj për në demonstratë të premten. Tubime do të ketë në gjithë vendin: veriu në Lezhë, Shqipëria e Mesme në Tiranë, juglindja në Korçë, jugu në Vlorë. Në këtë mënyrë, manifestimi i kampit opozitar kësaj radhe nuk do të jetë i organizuar vetëm në kryeqytet, por në katër qendra të vendit në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë. Kështu, nisur nga situata aktuale në vend, socialistët kanë vendosur që të ndryshojë mënyrën e të protestuarit. E veçanta në këto organizime do të jetë se protestuesit nuk do të qëndrojnë në një shesh, por do të marshojnë duke përshkruar rrugë kryesore të qyteteve ku do të manifestohet. Kjo, pasi synohet që në qytetet që është vendosur organizimi i protestave të udhëtojnë dhe qytetarë nga rrethe të ndryshe në afërsi me to. PS-ja ka bërë publike kërkesat që do të parashtrojë në këto manifestime.

Deklarata e Felaj

“Policia e Shtetit duhet të dorëzojë gardistët përgjegjës për tragjedinë”

Partia Socialistei kërkoi dje Policisë së Shtetit të dorëzojë 6 gardistët tek organet e drejtësisë. Ishte deputetja e kësaj partie Ermonela Felaj ajo e cila bëri publik një kërkesë të tillë. Sipas saj, Policia e Shtetit duhet ti dorëzojë të 6 gardistët përgjegjës për tragjedinë e 21 janarit sepse këtë e kërkon ligji. “U kujtojmë po ashtu drejtuesve të Policisë së Shtetit se përgjegjësia për moszbatimin e kësaj kërkese të sistemit të drejtësisë është dhe do të mbetet e tyre, dhe se bëjnë mirë të kujtojnë pasojat e rënda penale që bart ky refuzim për të gjithë ata. Drejtuesit e Policisë së Shtetit duhet ta dinë se zbatimi i urdhrave politike të Sali Berishës nuk ka për ti shpëtuar ata nga përballja me ndëshkimin e rëndë që parashikon ligji për këtë shkelje flagrante që po konsumojnë”, vuri në duklje Felaj. Po kështu, deputetja socialiste iu kundërpërgjigj dhe deklaratave të ardhura nga kryeministri Berisha. “Sali Berisha flet për puçe, por i vetmi puç që po ndodh sot në Shqipëri është ai i regjimit të matrapazëve e kusarëve që drejton Saliu i cili sot po sulmon çdo institucion të pavarur që ka mbetur në vend”, nënvizoi Felaj, gjatë fjalës së saj. Gjithashtu, duke qëndruar po në këtë linjë, Felaj sqaroi se “i vetmi puç që po ndodh në Republikën e Shqipërisë është injorimi i Prokurorisë nga Sali Berisha që refuzon të dorëzojë 6 gardistët që mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për 3 jetë të pafajshme e për shumë të plagosur nga plumbat e qëlluara në mënyrë kriminale kundër protestuesve jashtë kompleksit të kryeministrisë”. Njëkohësisht, Felaj rikujtoi se “Berisha vazhdoi të fliste për puçe imagjinare, për çadra e stilolapsa pistoleta, për thika me helm e armë të sofistikuara, duke e thelluar me çdo fjalë e akuzë që hidhte edhe më tej krizën e rëndë ku ka rënë vetë e ku ka futur dhe vendin”.

Kreu i parlamentarëve, Patozi, nuk beson tek oferta Akuzon kreun e PS se e shfrytëzoi për grusht shteti

PD refuzon kërkesën e Ramës për dialog

“Dakord bashkëpunimit me opozitën, por pasi puçistët e 21 janarit të dalin para drejtësisë”

Albana Lika

Mazhoranca qeverisëse ka përsëritur refuzimin e saj ndaj kërkesës së opozitës për të bashkëpunuar me të për zgjidhjen e krizës politike. Përmes kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, partia në pushtet ka vlerësuar si prioritar përfundimin e hetimit të ngjarjes së 21 janarit, për organizimin e së cilës akuzon në mënyrë të drejtpërdrejtë opozitën. “Duke përdorur një grusht banditësh të armatosur, Edi Rama, me sy të skuqur nga tërbimi për të ardhur me çdo çmim në pushtet, iu vërsul për pesë orë godinës së Kryeministrisë, me synimin e qartë që të përmbyste me dhunë një qeveri legjitime. Mazhoranca legjitime që qeveris vendin është e vendosur që të zbardhen dhe të nxirren para drejtësisë autorët e puçit të dështuar të 21 janarit, duke e konsideruar atë si interesin e parë dhe më jetikun për vendin, shtetin dhe për çdo qytetar shqiptar”, theksoi Patozi në një konferencë për mediat menjëherë pas daljes publike të kreut të selisë rozë, i cili u shpreh i hapur për të bashkëpunuar me PD-në. Këtë kërkesë, kreu i parlamentarëve demokratë e cilësoi një taktikë të Ramës për të zhvendosur vëmendjen e publikut nga 21 janari. Në këtë kontekst, ai i ka kujtuar kundërshtarit të tij politik gatishmërinë e mazhorancës për të bashkëpunuar me opozitën, e cila si përgjigje ka marrë mungesën e vullnetit për një gjë të tillë. Madje, Patozi akuzoi të majtët se kanë shfrytëzuar disponibilitetin e PD-së për të ofruar kompromise. “I kujtojmë kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Edi Rama, se ai nuk mund të fshehë dhe as mund të lajë dorën e krimit të rëndë, pas gjoja kërkesës për nisjen e dialogut politik në Shqipëri. Partia Demokratike ka qenë në dialog të vazhdueshëm me zotin Rama gjatë gjithë këtyre viteve dhe fryt i këtij raporti kanë qenë edhe disa marrëveshje tashmë të njohura, të cilat sollën risi të mëdha në politikën shqiptare. Ky komunikim nuk ka munguar edhe në muajt e fundit, por zoti Rama e shfrytëzoi këtë në mënyrën më të shëmtuar dhe më të pabesë, sepse ndërkohë përgatiti dhe organizoi grushtin e shtetit”, vijoi zyrtari i lartë i PD-së. Kushtet e bashkëpunimit me opozitën pas ngjarjeve të 21 janarit u përmendën për herë të parë nga lideri i Partisë Demokratike, Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar, dy ditë më parë. “Natyrisht jemi të hapur për çdo dialog, por kjo pasi puçistët të marrin ndëshkimin e merituar ligjor”, tha Berisha.

LSI apelon për reformimin sa më parë të Kodit Zgjedhor

Lëvizja Socialiste për Integrim përmes sekretarit të Përgjithshëm të saj, Luan Rama, shpreh shqetësimin për vonesën e deritanishme për realizimin e reformës zgjedhore, ndërkohë që na ndajnë vetëm 3 muaj nga zgjedhjet e ardhshme lokale. Përmes një konference për mediat, Rama ka tërhequr vëmendjen për uljen e partive politike në një tryezë për reformimin e Kodit Zgjedhor në respektim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, duke kujtuar axhendën evropiane të qeverisë shqiptare. “LSI-ja do të ndërmarrë iniciativa konkrete për ti ftuar edhe mbi bazën e projekteve konkrete palët në këtë punë të rëndësishme, por ndërkaq unë ftoj që edhe OSBE-ODIHR të fokusohen më drejtpërdrejt në këtë çështje dhe të gjithë së bashku të punojmë për të realizuar me sukses zgjedhje të lira, të drejta, të ndershme dhe të pakontestueshme nga askush”, theksoi sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike. Duke iu referuar socialistëve, Rama tha se cilido tjetër që kërcënon për ti sabotuar këto zgjedhje, tregon edhe një herë që interesi apo prioriteti i tyre ska të bëjë me zhvillimin evropian të vendit.

Zgjedhjet lokale, LSI nis fushatën paraelektorale

LSI nis sot turin e takimeve paraelektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit. Sipas burimeve zyrtare nga LSI, fushata paraelektorale do të shtrihet përgjatë dy muajve, shkurt-mars, kohë gjatë së cilës kjo forcë politike do të zhvillojë 100 takime në të gjithë vendin, sipas një axhende të përgatitur nga shtabi qendror i kreut të LSI-së, Ilir Meta. Njëkohësisht kryetar i LSI-së, Meta do të jetë i pranishëm në të paktën 300 takime, ndërkohë që në 700 takimet e tjera që do të zhvillohen në të gjithë vendin do të jenë të pranishëm drejtues të tjerë të lartë të LSI-së. Sipas axhendës së përcaktuar, është parashikuar që në çdo takim të jetë një ministër i LSI-së, si dhe nënkryetari i saj. Pikërisht gjatë kësaj faze paraelektorale është përcaktuar të bëhet përzgjedhja e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet lokale. Për sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, LSI synon si objektiv kryesor marrjen e 18 % të votave për këshilltarët bashkiakë, shifër kjo e cila është dyfishi i rezultatit të arritur në zgjedhjet e fundit vendore, ato të 2007-s. Duke filluar nga sot, kreu i LSI-së pritet të zhvillojë pesë takime në rrethin e Lushnjës.

Kreu i shtetit zhvillon një tryezë të hapur në lidhje me situatën në vend

Mesazhi: Duhet gjetur drita në fund të tunelit

Forumit për Demokraci dhe Etikë: Situata është e patolerueshme

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi paraditen e djeshme një bisedë të hapur me përfaqësues të Forumit për Demokraci dhe Etikë, një forum ky që përfaqësohet nga politikanë, intelektualë nga shoqëria civile, studiues dhe studentë. Kryefjala e takimit nga bashkëbisedimi i tyre ishte situata e vështirë aktuale në vend, si dhe shqetësimet e shkaktuara prej saj. Duke iu referuar dhe një herë parimeve demokratike, të shenjta për një demokraci funksionale, ku të gjithë përpara ligjit janë të barabartë, kreu i shtetit vuri në dukje se për të realizuar ëndrrën e tyre euroatlantike, qytetarët shqiptarë janë në pritje të ankthshme të rivendosjes së një dialogu politik institucional mes forcave kryesore politike në vend dhe se kjo gjendje aktuale është e patolerueshme. Presidenti Topi mbështeti dhe inkurajoi të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile që të luajnë rolin e tyre individual për të organizuar në këtë situatë ndërgjegjësimin e mendjeve të nxehta që të ulin tonet e ashpra të akuzave dhe kundërakuzave, të lënë pas gjuhën e urrejtjes e të gjejnë sa më shpejt atë të dialogut për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë e vështirë. Kreu i shtetit, gjithashtu shprehu gjithë mbështetjen e tij institucionale për nisma të tilla fisnike qytetare, duke i garantuar përfaqësuesit e Forumit për Demokraci dhe Etikë që do të vazhdojë të respektojë Kushtetutën dhe ligjet.

Nisma e “Dërgatës së dorëzanësve të paqes”

Përfaqësuesit e Forumit, apo si e quajnë veten: “Dërgata e dorëzanësve të paqes”, e njohën Presidentin Topi me nismën e tyre më të fundit qytetare për qetësimin e situatës dhe gjetjen “e dritës në fund të tunelit”, në mënyrë që palët e përfshira të ndërpresin menjëherë konfliktin, të ulin tonet dhe të ndalojnë sulmet ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese, duke rivendosur një klimë qëndrueshmërie dhe duke rritur mirëbesimin e qytetarëve te përfaqësuesit e tyre politikë të zgjedhur dhe sidomos te funksionimi normal i shtetit të së drejtës dhe institucioneve. Gjithashtu, “Dërgata” vlerësoi lart mesazhin e dhënë dy ditë më parë nga Presidenti Topi për të gjitha forcat dhe aktorët politikë në vend, si dhe shprehën mbështetjen ndaj Presidentit, si garant i Kushtetutës dhe ligjeve dhe si simbol i unitetit të popullit.

Kriza: Lajçak rikthehet në Tiranë

BE: Mision të kthejë dialogun mes palëve sa më shpejt

Pas një jave, ditën e nesërme i dërguari i posaçëm i kryediplomates evropiane Katerin Ashton do të mbërrijë sërish në kryeqytetin shqiptar, për të vazhduar takimet e tij në përpjekje për të gjetur një mënyrë për të kapërcyer krizën e thellë politike në vend. Lajmi u bë i ditur për mediat shqiptare nga vetë zëdhënësja e europarlamentares Ashton, Maja Koçijançiç, e cila konfirmoi se Lajçak do të përsërisë edhe një herë mesazhet e dhëna nga Bashkimi Evropian një javë më parë. “Siç e dini, po ndjekim zhvillimet në Shqipëri me shumë kujdes dhe kemi dhënë disa mesazhe të forta dhe të qarta për atë që duhet arritur. Besoj se Miroslav Lajçak do të jetë këtë të enjte në Tiranë dhe ai do të përsërisë mesazhet e dhëna dhe do të përpiqet të gjejë një mënyrë për tiu rikthyer dialogut për të gjetur një zgjidhje të shpejtë ndaj situatës aktuale”, tha dje zëdhënësja Koçijançiç. Ndërsa në lidhje me synimet e Shqipërisë për tiu rikthyer rrugës drejt integrimit në BE, zëdhënësja e Ashton, duke iu referuar dhe mesazheve të dhëna një javë më parë nga misionari i BE-së, deklaroi: “Është shumë e qartë ajo që duhet bërë, pra ajo që duhet të bëjë Shqipëria për të ndjekur axhendën evropiane dhe e kemi përsëritur disa herë, dhe kjo është diçka që do të diskutojë edhe Lajçak në takimet në Tiranë”, ka thënë zëdhënësja e Ashton. Ndër të tjera, e pyetur lidhur me kërkesën e komisionit hetimor parlamentar të ngjarjeve të 21 janarit, i cili ka kërkuar ti vihen në dispozicion edhe tabulatet e disa gazetarëve, zëdhënësja e përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Sigurinë në BE, Koçijançiç deklaroi se gjatë qëndrimit të tij në Tiranë Lajçak do të bëjë të qartë edhe mesazhin e Bashkimit Evropian për lirinë e medias. “Ju jeni në dijeni të qëndrimit tonë mbi lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, dhe kjo është një çështje që do ta bëjmë të qartë. Më shumë se kaq nuk mund të them gjë për momentin”, ka përfunduar zëdhënësja e Ashton. Liria e shprehjes konsiderohet si një ndër parimet themelore të demokracisë dhe liria e medias është pjesë përbërëse e kriterit politik të Kopenhagenit.

Takimet e mëparshme të Lajçak-ut

“Askush nuk është mbi institucionet”

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak zhvilloi një javë më parë takime me të gjithë krerët më të lartë të vendit, ku ka ndarë me ta shqetësimin e krerëve të BE-së në lidhje me ngjarjen dramatike të 21 janarit, si dhe ka folur në lidhje me gjetjen e një zgjidhjeje për kapërcimin sa më të shpejtë të krizës politike që ka përfshirë vendin. Lajçak në mesditën e së enjtes së kaluar zhvilloi dhe një konferencë për shtyp, në të cilën theksoi se “unë i kërkova përfaqësuesve tuaj politikë që të ndajnë përgjegjësinë e tyre për parandalimin e një dhune apo gjakderdhje të mëtejshme; funksionimin e institucioneve shtetërore; u kërkova atyre që të respektonin institucionet shtetërore, sepse askush nuk është mbi këto institucione.” Gjithashtu, një javë më parë drejtori Ekzekutiv në Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, është pritur sërish në Presidencë, ku ka takuar për herë të dytë kreun e shtetit, Bamir Topi. Gjatë takimit, i dërguari i baroneshës Ashton në BE, i ka bërë një rezyme Topit të të gjitha takimeve që ai zhvilloi në Tiranë, dhe një përshkrim të përgjithshëm të frymës politike që ekziston mes kryetarit të PS-së, Rama dhe kreut të mazhorancës, Berisha.

Ministri i jashtëm Franko Fratini thirrje opozitës

BE si SHBA, Rama të mos bojkotojë zgjedhjet

“Shqipëria duhet të ndihmohet fuqishëm për integrimin

Bashkimi Evropian nuk është dakord me opsionin e zgjedhjeve të parakohshme në Shqipëri. Kjo është konfirmuar pas takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel, nëpërmjet dy shteteve anëtare që mbështesin më shumë integrimin evropian të vendit, Italia dhe Sllovenia. Në një deklaratë për Tv Klan, ministri i Jashtëm Franko Fratini ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të ndihmojë Shqipërinë për procesin e zgjedhjeve lokale, duke përjashtuar kështu opsionin e zgjedhjeve të parakohshme. “Mendoj se Shqipëria duhet të ndihmohet fuqimisht drejt integrimit të saj evropian. Italia është një nga mbështetëset më të mëdha të perspektivës evropiane të Shqipërisë. Sot kemi një problem tjetër. Siç duket, kryetari i opozitës kërcënon që të bojkotojë zgjedhjet e majit. Kjo do të ishte një dëm i madh jo për opozitën, pasi ne nuk marrim anën e asnjërit, por për Shqipërinë. Kështu që shpresojmë, që lideri i opozitës të heqë dorë nga bojkoti”, tha Fratini. Ndër të tjera, në lidhje me ndonjë ndihmë të mundshme nga vendet anëtare të BE-së, Fratini u shpreh që “vendi ndihmohet duke përshpejtuar vlerësimin evropian mbi kërkesën e Shqipërisë për tu bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Ka pasur një vonesë. Shpresoj që problemet politike në vend të mos e zvarrisin ende procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Mendoj që do të ishte i rëndë provokimi i tensioneve që zvarrisin procesin e integrimit të vendit”, deklaroi Franko Fratini. Ndërsa në lidhje me qëndrimin e opozitës shqiptare, eurodeputeti italian theksoi: “Unë sdua të ndërhyj në punët e brendshme të Shqipërisë. Them vetëm që të flasësh për bojkotin e zgjedhjeve lokale dëmton Shqipërinë. Kjo po.” Këtë opsion e ka përjashtuar hapur edhe ministri i jashtëm slloven, por edhe vetë komisioneri Füle javën e shkuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›