E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, replika për tryezën e Presidentit

Dade: Berisha pengon dialogun me sponsorizime opozitarësh. Rusmali: Topi të bindë Ramën
Nën mesazhet dhe presionet e forta të ndërkombëtarëve për të zgjidhur krizën në vend, mazhoranca dhe opozita në Shqipëri, për të vetmen pikë ku bien dakord, është se Presidenti Topi do të jetë negociator, por duke iu rikthyer qëndrimeve të tyre të mëparshme, çështja mbetet në vend, pasi të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën se po pengojnë dialogun. Partia Socialiste, përmes sekretares për marrëdhënie me jashtë, Arta Dade, bëri me dije se Berisha po pengon dialogun përmes sponsorizimesh opozitarësh dhe lojëra fjalësh, ndërsa kryesuesi i delegacionit të PD-së, Ilir Rusmali, qartësoi se nuk do të ketë hapje kutish, por meqë i kërkohet Presidentit të negociojë, atij i takon të bindë Ramën që të kthehet në Parlament.
Dade
Deputetja Arta Dade, një ditë pasi palët u angazhuan se janë gati për dialog, i bëri apel Kryeministrit që të shprehet qartë për tryezën me Presidentin, për të cilën PS është gati. “Unë i bëj thirrje Sali Berishës t'iu përgjigjet atyre me të njëjtin seriozitet dhe të mos pengojë dialogun me sponsorizime opozitarësh, që flasin gjuhën e tij dhe as me lojëra fjalësh, por të shprehet publikisht për tryezën e Presidentit, për të cilën ne jemi gati”, tha Dade, e cila evidentoi se Shqipëria duhet të dalë nga kriza gjithëdimensionale ku është zhytur vendi, e cila evidentohet më se një herë në rezolutën e kaluar së fundmi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës. “Kjo krizë, u shpreh Dade, ka mbërthyer jo vetëm vëmendjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, por i ka detyruar ata që me seriozitetin përkatës të angazhohen duke ofruar formulën për daljen nga kriza”.
Rusmali
Duke kundërshtuar deklaratat e selisë rozë, Rusmajli bëri me dije se në rezolutë nuk thuhet asgjë që lidhet me një krizë të thellë në Shqipëri. Ai nënvizoi se nga ana tjetër është keqkuptuar amendimi i PD, për rolin e Presidentit. Duke komentuar rezolutën e Këshillit të Europës, Rusmajli tha se aty kërkohet qartë ngritja e një komisioni hetimor për zgjedhjet, por jo hapja e kutive. “Komisionit hetimor nuk i lejohet kurrsesi që të prishë vendimet e gjykatave, sepse është jashtë funksioneve të veta kushtetuese dhe këtu nuk ka asnjë lloj ekuivoku. Këtu nuk ka asnjë lloj paqartësie. Komision hetimor për zgjedhjet në Shqipëri do të thotë në mënyrë përfundimtare komision që respekton kuadrin ligjor dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Rusmajli. Deputeti demokrat, referuar rolit të Presidentit, mohoi se mazhoranca ka reflektuar pakënaqësi ndaj tij, por nga ana tjetër ai tha se i takon kreut të shtetit që të eksplorojë dhe hulumtojë për të gjetur zgjidhjen e mundshme, natyrisht një zgjidhje që nuk lejon hapjen e kutive. “është ai që duhet të bëjë përpjekjet që t’i thërrasë të paarsyeshmit drejt arsyes”, deklaroi ai.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›