E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama zbulon dhe asgjëson grupe armiqësore në PS

Harasani: Ai është sponsorizuesi politik i Sali Berishës
Deputeti Andis Harasani, një prej pesë pjesëtarëve të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS analizon në një intervistë për “Shqip” situatën politike në vend dhe bojkotin e PS.
Zoti Harasani, sapo jeni kthyer nga një vizitë në Bruksel ku diskutuat në lidhje me situatën në Shqipëri. çfarë ndodhi në ato takime?
Së bashku me kolegët Blushi e Islami patëm një seri takimesh intensive në Bruksel. Kryeqyteti i Europës, të cilin po kërkojmë me ngulm e dëshpërim prej 20 vjetësh ta bëjmë dhe kryeqytet të Shqipërisë, afron befasi të përhershme për politikanët shqiptarë. Kësaj radhe, befasia jonë nuk qëndronte në axhendën e ngjeshur, rreth 12 takime me personalitete të jetës politike europiane, por në një rakordim thuajse të plotë të qëndrimeve tona shqiptare me radiografinë që i bëhet jetës politike në Shqipëri prej tyre. Një pjesë e takimeve ishin publike dhe mesazhet e marra dhe të dhëna në to u bënë publike, kryesisht nga partnerët europianë, kurse një pjesë e madhe e tyre, ashtu siç kishim rënë dakord, mbetën në kufirin e konfidencialitetit. Si për ato çfarë u biseduan, ashtu dhe me cilët u bisedua dhe u shkëmbyen pikëpamje. Më vjen mirë të pohoj që bashkë me kolegët e mi, patëm të përbashkët me kolegët europarlamentarë vlerësimin/qëndrimin për zgjedhjet, përfundimet e raportit të OSBE/ODIHR-it, qëndrimin për bojkotin e Kuvendit nga opozita, pjesë e të cilës jemi, ashtu dhe për hetimin parlamentar dhe të detajuar të zgjedhjeve. Por me theks të fortë kemi ngritur shqetësimin për keqqeverisjen e vendit dhe ndikimin e saj e të situatës së krijuar nga bojkoti i opozitës mbi liberalizimin e vizave dhe fitimin e statusit vend kandidat për në BE. Siç u dëshmua edhe në media, një ndër personat që ju takuat ishte edhe europarlamentarja Doris
Pack. Në fakt, kjo e fundit është njohur në vazhdimësi si një “avokate” e së djathtës në Shqipëri. A mendoni se ndikon negativisht kjo në raport me votuesit tuaj të majtë?
Nuk dua të ndaj dhe të mbetem në qëndrime bardh e zi, në qëndrime që ndajnë individët sipas parimit, miku i armikut tim është armiku im. Zonja Pack, ndonëse është e djathtë mund të kujtohet për qëndrimet tejet të ashpra kundër Sali Berishës për bojkotin e tij të zgjatur në 1997 e më tej, por sidomos, qëndrimet e saj të forta për çështjen e Kosovës, gjë që i rikujtoi vetë në takim duke shprehur me mënyrën e saj direkte konsistencën e qëndrimeve të saj europiane që janë në rezonancë me eurodeputetët e të gjitha bindjeve. Takimi me këtë zonjë, zëri i të cilës është i spikatur sidomos për problemet e Ballkanit, të përfshirë shpesh në rebuse miqsh e armiqsh, ishte interesant dhe realist. Ai ishte i dobishëm. Politika është arti i të dëgjuarit e dialoguarit edhe i kundërshtarit, madje sidomos i kundërshtarit. Këtë mësim e harrojmë gjithmonë në Shqipëri, por nuk ishte e nevojshme ta kujtonim në takimin miqësor me zonjën Pack.
Ditët e fundit janë hedhur zëra rreth një përçarjeje mes Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS. Cila është e vërteta e mungesës së zotërinjve Malaj dhe Bello në Bruksel?
E kam dëgjuar një gjë të tillë që kur ndodheshim në Bruksel dhe më duket se këta zëra janë qesharakë, naivë e të instrumentalizuar. është thjesht diversion dhe skemë e vjetër e politikës së re. Si të tillë, ata do të meritonin ndoshta një përgjigje me humor e neglizhencë. Malaj dhe Bello janë politikanë seriozë që kanë drejtuar ministri të rëndësishme të vendit dhe njohin shumë mirë formatet e takimeve ndërkombëtare; midis nesh është biseduar jo vetëm formati, por edhe përmbajtja e takimeve. Po PS-ja që u përfaqësua në Strasburg me tre kolegët tanë, Dade, Ahmetaj dhe Balla, është e përçarë që nuk shkuan njëherazi 64 deputetët e saj? Në takime të tilla më partnerë të rëndësishëm është e pamundur të shkohet me “autobusin e Kuçit me 64 vetë”. Për të qenë më i qartë, po ju tregoj diçka që më ndodhi realisht në Bruksel. Në një nga mbrëmjet e lira, disa miq të mi më ftuan në një ndeshje futbolli amatorësh, kosovarë dhe boshnjakë. Më pëlqen të them që deri nga minutat e fundit, rezultati kishte shkuar në 4 me 0 për kuqezinjtë. Tamam atëherë ndodhi ajo “puna” që ngatërron punët në Ballkan. U dha një goditje nga këndi, por ata që ishin në mbrojtje, u hodhën në sulm. Sulmuan arbitrin, lojtarët kundërshtarë, kohën e keqe, të shkuarën, të ardhmen dhe koha e lirë që kishin zgjedhur për argëtim, gati-gati u kthye në kohë lufte. Ndeshja u ndërpre dhe kundërshtarët u larguan pa shtrënguar duart me njëri-tjetrin dhe pa pirë birrën tradicionale të pasndeshjes. M’u kujtua kjo histori kur pa ardhur në Tiranë, mësova se udhëtimin tonë në Bruksel e konsideruan të sponsorizuar, kupto, të paguar nga Berisha dhe këtë e thanë kolegët e mi, m’u kujtua gjithashtu kur dëgjova Berishën i cili në vend të analizonte për shembull, fjalën krizë që na erdhi nga “importi”, sulmonte anëtarët e Kryesisë së PS-së me fjalorin e tij të vjetër dhe me gojën e re të Erlës. Kështu, që nga Brukseli në Tiranë, sherri për “kornen” nuk mbaron dhe ndeshja lihet në mes për të filluar sërish me sherre të panevojshme e mbi të gjitha, që nuk i shërbejnë askujt. Dhe grindja do të vazhdojë edhe pas ndeshjes kur secila nga dy palët do të mburrej se “njëra fitoi me gola” dhe “tjetra me korne” këtë ndeshje miqësore...
Në fakt a ekziston një lloj dallimi, sepse zoti Malaj thotë publikisht se do të respektojë vendimin e partisë sa i takon bojkotit pavarësisht se kërkon thyerjen e tij. Pra, le të kuptohet se nëse ai vendim mbetet në fuqi duhet respektuar?
Pa hezitim po ju them së pari se qëndrimet tona janë koherente dhe të unifikuara për sa i përket bojkotit, jo vetëm midis nesh, por edhe me partnerët ndërkombëtarë. Të gjithë ne, si dhe zoti Malaj, gjykojmë se duhet të hyjmë në Kuvend për të bërë opozitë, për të bërë opozitën e vërtetë e institucionale përballë një qeverisjeje të paaftë dhe të papërshtatshme për shqiptarët. Do të hyjmë me një platformë të qartë dhe transparente. Do ta bëjmë një gjë të tillë, sepse kalendari po tregon se po afrohen gjithmonë e më shumë zgjedhjet lokale, të cilat PS-ja duhet t’i fitojë detyrimisht, si një hap të parë të domosdoshëm për të marrë pushtetin e nesërm. Jemi të detyruar ta mbajmë këtë qëndrim, sepse ndryshojmë nga zoti Rama, i cili deri më tani ka arritur të mundë vetëm shokët dhe kolegët e partisë sonë dhe që ka nisur të zbulojë dhe asgjësojë grupe armiqësore brenda partisë dhe armiq në Europë. Partia Socialiste nuk është bashki dhe nuk mund të menaxhohet si bashki. Pikërisht ky qëndrim i zotit Rama i vjen më së shumti për shtat kolegut të tij, Berisha. Pra, sponsorizuesi më i fuqishëm politik i Berishës është vetë Rama që imiton Berishën, por në formën e një kopjeje të shëmtuar duke qenë kështu shkaktari kryesor i humbjes, sepse votuesit midis origjinalit të keq dhe kopjes së shëmtuar preferuan origjinalin.
Në një intervistë për “Shqip”, zoti Xhafaj thotë se deklarata juaj për thyerjen e bojkotit javën e parë të marsit ishte e panevojshme për aq kohë sa është kërkuar një mbledhje e grupit parlamentar, e cila do të diskutojë pikërisht këtë pikë. Ju si e konsideroni?
E lexova me kujdes dhe me ëndje deklaratën e mikut dhe kolegut tim, zotit Xhafaj. Ndryshe nga kryetari Rama, respektoj të gjithë zërat në PS dhe aq më shumë, që zoti Xhafaj është një zë autoritar në parti, i rrallë në publik e i fuqishëm konfidencialisht me Ramën. Ndava të njëjtin mendim e bindje me të në shumë e shumë ide që ai artikulonte në intervistën e tij interesante. Megjithatë, e pata të pamundur të kuptoj se pse e quante nxitim deklaratën e bërë në mes të janarit 2010, kur ajo është e njëjta deklaratë e artikuluar që në gusht të një viti më parë. Ne jemi shprehur kundër bojkotit dhe kemi shprehur gjithashtu bindjen se vetëm me protesta nuk arrihet qëllimi final, hetimi i zgjedhjeve, përmirësimi i kuadrit ligjor dhe garantimi i standardeve për zgjedhjet e ardhshme dhe sjellja e PS-së në pushtet. Kur je vetë i vonuar, natyrisht të tjerët të duken të nxituar, aq më tepër që ky qëndrim kundër bojkotit ka qenë permanent e homogjen. Gjej rastin të them se qëndrimi ynë i bërë publik prej muajsh dhe rezoluta e miratuar unanimisht nga europarlamentarët, ishin identike.
është folur për një opsion ku grupi parlamentar i PS të mund të futet në Kuvend dhe më pas të dalë duke vazhduar bojkotin. LMN çfarë do të bëjë në këtë rast, do të qëndrojë në Kuvend apo do të bashkohet me PS?
është e vështirë, për të mos thënë është një ngërç politik të komentohen fjalët e thëna poshtë e përpjetë. Pa fyerje, ato më ngjajnë si të prodhuara nga shtëpiake të dëshpëruara që ndjekin me ankth telenovela dhe nuk i ndajnë sytë nga ekrani edhe kur nisin reklamat. Sigurisht, unë nuk do të doja të ndodhte ky skenar. Nëse hyjmë në Kuvend, betohemi, sigurojmë pagën e deputetit dhe mandatin dhe dalim menjëherë, kjo do të ishte një lojë fëmijësh. Morali dhe imazhi i PS-së do të merrnin një goditje tjetër të rëndë, argumentet do të ishin shumë të dobëta për më tej. I vetmi i fituar në këtë lojë do të ishte Sali Berisha, i njëjti që fitoi edhe nga sherret tona me LSI-në, që fitoi nga largimi i pakuptimtë i figurave kryesore të PS-së. Sali Berisha me siguri do të jetë i vetmi i fituar nga bindja për ta kthyer PS-në në një shkëmb graniti kundër armiqve të brendshëm dhe të jashtëm. është vështirë gjithashtu që të bëhen parashikime afatshkurtra dhe afatmesme për politikën shqiptare. Ju ka ndodhur ndonjëherë që duke udhëtuar me makinë, të gjendeni përballë një maceje në rrugë? E parashikon dot se nga cila anë e trotuarit do të kalojë macja që të mos e shkelësh me makinë? Aq më tepër që prej vitesh politika shqiptare është shndërruar në një mace të zezë si për qytetarin shqiptar që është edhe supersticioz, ashtu dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë që e kanë hasur shumë herë të tjera këtë lloj maceje në formën e një skeme të vjetër të sjelljes ballkanike e arkaike të liderëve shqiptarë.
Nëse do të ketë një thyerje të bojkotit nga ana juaj jashtë vullnetit politik zyrtar të PS a keni një plan "B" se si të vazhdoni projektin tuaj. Pra një parti e re apo?
Ne jemi pjesë e PS-së dhe do të jemi në PS pavarësisht dëshirave dhe vullneteve të kujtdo. Edhe të vullnetit të kryetarit të PS-së. As nuk mund të mendohet largimi ynë nga PS, në kushtet që shumica e grupit parlamentar po na jep të drejtë në qëndrimin tonë dhe po bëhet gati të hyjë në Kuvend. Ju me të drejtë nga kërkoni ne plan B, por Rama nuk ka as plan A dhe po ju them me bindje se platforma jonë është plani A i PS dhe nëse ky plan nuk do të zbatohet PS jo vetëm do të lëngojë, por do të vazhdojë në spiralen e humbjeve pa fund siç e ka parashikuar vetë Rama.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›