E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Paloka: Në shtator, zgjidhja përfundimtare

Mazhoranca qeverisëse beson se në muajin shtator, ngërçi politik do të marrë zgjidhje përfundimtare

Mazhoranca qeverisëse beson se në muajin shtator, ngërçi politik do të marrë zgjidhje përfundimtare. Këtë siguri demokratët e mbështesin tek tërheqja që socialistët po bëjnë lidhur me kërkesat e Brukselit për një zgjidhje sa më shpejt dhe mbi baza ligjore. Ndaj, PD-ja është e bindur se qëndrimet e fundit të Partisë Socialiste për situatën politike tregojnë se ajo po lëviz në drejtimin e duhur për zgjidhjen e saj. Nënkryetari i grupi parlamentar demokrat, Edi Paloka, deklaroi dje se e interpreton në mënyrë të drejtë rezolutën e Parlamentit Evropian, kur kërkon hetimin e materialeve zgjedhore dhe se kjo është qasja e duhur për të afruar palët në një zgjidhje përfundimtare.
Me fillimin e sezonit të ri, duke parë edhe ato deklarata që janë bërë nga PS-ja, pavarësisht tonit të ashpër në dukje, mendoj që ka një lloj reflektimi edhe prej tyre për rezolutën e Parlamentit Evropian. Në deklaratat e tyre flitet për një fillim hetimi me materialet zgjedhore, që në fakt është edhe kërkesa e PE-së. Unë mendoj se është hapi i duhur për PS-në, - tha Paloka. Deputeti i PD-së komentoi më tej zërat që flasin se PS-ja e kërkon Bashkinë e Tiranës në tavolinë, duke shtuar se veprimet politike të opozitës të bëjnë të mendosh një gjë të tillë, porse ndryshe nga herët e tjera, tha ai, selia rozë nuk e ka bërë drejtpërdrejt një kërkesë të tillë.
Edhe unë po këta zëra kam dëgjuar. Janë disa fakte që të bën të besosh se këta zëra nuk janë fare pa zë. Presioni që bëhet për arsyet që nxjerr, nuk më duket i argumentuar dhe kjo të bën të mendosh që kërkohet dhënia në tavolinë e Bashkisë së Tiranës. Ju e keni dëgjuar që kryetari i PD-së e ka bërë të qarë se nuk e ka pasur një kërkesë të tillë këtë herë nga PS-ja, - deklaroi z. Paloka. Deputeti demokrat njoftoi se PD-ja e ka tashmë kandidaturën e saj për Tiranën që garanton fitoren dhe ka mbështetjen e të gjitha strukturave, por pa përmendur një emër.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›