E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama iu rikthye bllokimit të statusit, ndëshkimin do e marrë nga qytetarët, njësoj si në 8 maj 2011-të

23-09-2012 / Gazeta 55

Me qëndrimin që ai po mban ndaj votimit të ligjeve për reformen e pushtetit gjyqësor, dëshmon qartë se ai përpiqet dhe shpreson se do të bllokojë për të tretën herë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë

Partia Demokratike dënoi sërish sot qëndrimet bllokuese të Partisë Socialiste ndaj miratimit të reformave dhe ligjeve me 3/5 në Kuvend. Zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi tha gjatë një deklarate për shtyp se, Edi Rama përpiqet dhe shpreson se do të bllokojë për të tretën herë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. PD i kujton lidershipit socialist se bërja e reformave në sistemin gjyqësor, është ndër pikat më të rëndësishme për përmbushjen e kritereve të BE, në mënyrë që Shqipëria të bëjë hapa përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian. “Pasi lejoi nën presionin e fortë të socialistëve të thjeshtë, opinionit publik dhe deputetëve të tij të votojë heqjen e imunitetit, kryetari i Partisë Socialiste me sa duket fort i dëshpëruar dhe thellë i penduar për vendimin e tij, ka vendosur të rikthehet përsëri në traditën e tij disa vjeçare destruktive të bllokimit të votimit në Parlament të reformave që kërkojnë miratimin me tre të pestat e votave. Me këtë qëndrim kryetari i Partisë Socliste bllokoi për dy vite me rradhë statusin e vendit kandidat. Çdo shqiptar tani e ka të qartë si drita e diellit se për të bllokuar dy vite me rradhë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë z. Edi Rama bojkotoi Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e lira, ndërmori paradën e grevës së urisë, organizoi 21 janarin famëkeq për të marrë pushtetin me dhunë, rrethoi Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për të bllokuar numërimin e votave. Me qëndrimin që ai po mban ndaj votimit të ligjeve për reformen e pushtetit gjyqësor, dëshmon qartë se ai përpiqet dhe shpreson se do të bllokojë për të tretën herë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Me sa duket zoti Rama vazhdon të besojë verbërisht se me bllokimin e tij të rradhës do të mund kështu të fajësojë e të bëjë përgjegjëse qeverinë e cila  po bën gjithçka për plotësimin e kërkesave të Brukselit për marrjen e statusit”- u shpreh zëdhënësja Silvi Bardhi. 

Sipas saj, për qëllime të ngushta personale Rama urdhëroi deputetët e tij të bllokonin ligjin për Gjykatën e Lartë, draft i cili është propozuar nga vetë ligjvënësit socialistë. “Për qëllime tërësisht personale dhe kryekeput në funksion të karriges së pushtetit zoti Rama do me çdo kusht të bllokojë ngritjen e Kolegjit Administrativ në Gjykatën e Lartë, ngritjen e të cilit e propozuan vetë deputetët e Partisë Socialiste në Komisionin e Ligjeve. Partia Demokratike denoncon këto qëndrime destruktive dhe bllokuese të z.Rama si një përpjekje absurde dhe e dëshpëruar për të afruar ardhjen e tij në pushtet nëpërmjet bllokimit të reformave që kërkohen për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe shkelmimit të interesave europiane të qytetarëve shqiptarë”- tha ajo.

Partia Demokratike i bën thirrje kryetarit të Partisë Socialiste z.Edi Rama të heqë dorë nga politika e bllokimit të reformave të drejtësisë, ngritjes së Kolegjit Administrativ dhe Gjykatës Administrative, jetike dhe e domosdoshme për bizneset dhe qytetarët shqiptarë, zgjidhjen e problemeve të tyre të shumta me Administratën shtetërore dhe mbrojtjen e tyre nga arbitrariteti i kesaj të fundit. Mbështetja e reformave për integrimin e vendit, tha zëdhënësja e PD, është detyrim kushtetues, statutor dhe programor për Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste si dhe të gjitha forcat politike të harkut kushtetues të vendit. 

Gjithsesi, roli bllokator i lidershipit socialist i instrumentalizuar në forma të ndryshme përmes bllokimit të reformave, do marrë ndëshkimin nga qytetarët njësoj siç u ndëshkua në 8 maj të 2011-ës. “Për Partinë Socialiste pjesëmarrja dhe kontributi në procesin e integrimit, nuk është një lëshim që i bën qeverisë, por një shans i vërtetë historik dhe i mirëpritur nga të gjithë qytetarët shqiptarë. Kurse bllokimi i këtyre proceseve duke detyruar deputetët socialistë që të mos votojnë reformat integruese në Parlament, është rikthim i Partisë Socialiste në të shkuarën e saj tejet të hidhur, rikthim tek blloku dhe bllokimi, të cilin si ç’dëshmuan zgjedhjet lokale të 8 majit të vitit 2011, shqiptarët do ta ndëshkojnë vendosmërisht me votën e tyre të lirë”- deklaroi më tej zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›