PD: Rama po gajas shqiptarët me hipokrizinë e tij
Partia Demokratike ka reaguar nëpërmjet zëdhënëses Albana Mustafaraj, pas deklaratës së kreut të opozitës, Edi Rama, në lidhje me Avokatin e Popullit, institucion, që sipas Ramës duhet të jetë i pavarur. Sipas PD-së, Rama ka gajasur shqiptarët me këtë deklaratë.
Z. Rama sot gajasi shqiptarët me hipokrizinë e tij të radhës që lëshoi në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, sipas së cilës ai nuk dëshiron Avokatin e Popullit nga Partia Socialiste apo që të marrë urdhra prej tij e partisë që ai përfaqëson. Z. Rama vetë harroi, por shqiptarët natyrisht që jo, se ai vetëm dy javë më parë propozoi për në bordin e Bankës së Shtetit, institucionit më të depolitizuar të vendit, militanten e thekur të PS-së, anëtaren e kryesisë besnike të partisë së tij, zj. Ermelinda Meksi, tha Mustafaraj.
Në deklaratë theksohet më tej se kryetari i PS-së Rama flet për institucione të pavarura, por të tilla konsideron vetëm ato që i vendos nën kontrollin e partisë.
Duam të pyesim z. Rama, kur je serioz dhe i vërtetë, kur cicëron për pavarësi të institucioneve kushtetuese, apo kur në emër të kësaj pavarësie emëron në krye të tyre drejtuesit kryesore të Partisë Socialiste?, përfundon deklarata e Albana Mustafarajt.