PD: Rama po i trajton grevistët si skllevër
Demokratët akuzuan dje kryesocialistin Edi Rama dhe drejtuesit e tjerë të Partisë Socialiste se po shkelin të drejtat më elementare që përmban Kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare për të burgosurit dhe grevistët sa i përket trajtimit të tyre shëndetësor zyrtar. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, bëri të njohur faktin se për të dymbëdhjetën ditë, Edvin Kristaq Rama, Gramoz Ruçi dhe pinjollët e tjerë të Bllokut, mbajnë të mbyllura për kujdesin shëndetësor zyrtar dyert e burgut që kanë krijuar në mes të bulevardit të Tiranës. Në këtë mënyrë, - shtoi Mëhilli, - ata janë duke treguar se të ngujuarit në burgun e tyre i trajtojnë si skllevër dhe se janë të aftë tu ndalojnë atyre edhe të drejtat më elementare që ua garanton Kushtetuta e vendit dhe konventat ndërkombëtare për të burgosurit, robërit apo grevistët. Çfarë fshehin Rama, Ruçi dhe bllokmenët e rinj me moslejimin e shërbimit zyrtar shëndetësor në burgun e tyre? Por kjo ne nuk na intereson, pasi atë çdo qytetar shqiptar e merr vesh vetë. Ne jemi këtu për të dënuar këtë qëndrim çnjerëzor dhe kujdesin e militantëve fanatikë të Partisë Socialiste që me bluza të bardha shkelin çdo rregull dhe çdo kod etik e moral të shërbimit shëndetësor, duke u shndërruar në vegël qorre të kryetarit të partisë së tyre vetëm e vetëm për qëllime politike antihumane e barbare, - deklaroi zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli.