Topi me ambasadorët, diskutohen rrugët e zgjidhjes
Situata e fundit politike në vend, përpjekjet, mundësitë e rrugëve kushtetuese dhe institucionale për të zgjidhur në një kohë sa më të shpejtë dhe normalizuar gjendjen u ridiskutuan sërish dje mes Presidentit Bamir Topi dhe ambasadorëve. Brenda katër ditësh Presidenti Topi rinisi dje përpjekjen e dytë të negociatave për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik në vend. Rreth orës 10:00 të paradites së djeshme, në selinë e Presidencës mbërriti ambasadori amerikan në Tiranë, John Ëithers, dhe ai spanjoll, Manuel Montobio, të cilët zhvilluan një takim kokë më kokë me kreun e shtetit, Bamir Topi. Ata qëndruan për rreth një orë në selinë e Presidencës, ku në qendër të bisedimeve ishte situata politike, greva e opozitës dhe përpjekja për rivendosjen e një dialogu mes palëve. Pak çaste më pas, Presidenca njoftoi se gjatë takimit u bisedua për situatën më të fundit politike në vend, për përpjekjet, mundësitë e rrugëve kushtetuese dhe institucionale për të zgjidhur në një kohë sa më të shpejtë dhe normalizuar situatën politike në vend. Në këtë kuadër, Presidenti Topi dhe ambasadorët Ëithers e Montobio diskutuan edhe për nevojën e vazhdimit të reformës në gjyqësor, duke nënvizuar rëndësinë e një sistemi gjyqësor plotësisht të paanshëm e profesional. Dy ditë më parë kreu i shtetit shqiptar deklaroi se ka gati në çdo moment një tryezë të tillë, por palët nuk kanë vullnet politik. Në ditët e fundit thirrjet për dialog dhe për zgjidhjen e ngërçit kanë ardhur edhe nga ambasadorë të tjerë në Tiranë, si kreu i KE-së Helmuth Lohan, ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch dhe ambasadori spanjoll, Manuel Montobio. Dy ditë më parë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi se është duke bërë tentativa në rrugë informale për të ulur palët në tryezën e bisedimeve me qëllimin final zgjidhjen e krizës politike. "Unë jam në përpjekje të vazhdueshme, ashtu sikurse edhe faktorë të tjerë institucionalë dhe ndërkombëtarë për daljen nga kjo situatë e pakëndshme, por ende nuk ka një dialog institucional për situatën politike në vend". Kështu u shpreh Presidenti i vendit gjatë një veprimtarie për të përndjekurit politikë tek Muzeu Kombëtar.