PD Rama shpif kunder familjareve te Kryeministrit
Partia Demokratike iu kundërpërgjigj deklaratave të ardhura nga selia rozë sa i takon pasurisë së familjes kryeministrore.
“Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, njeriu që në krye të neobllokmenëve në një akt antishqiptar dhe antikombëtar, bllokoi në Parlament votimin e 3 ligjeve për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Europian për Shqipërinë, detyrohet që edhe natën e Krishtlindjeve të vazhdojë përmes çakenjëve të tij fushatën e ulët të shpifjeve, të denja për amoralitetin e tij kundër familjarëve të Kryeministrit”, u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi.
Sipas PD-së, Rama jo vetëm që ka fshehur pasurinë e fidelëve të partisë, por nga frika fsheh dhe pasurinë e tij.
“Njeriu që nga frika dhe tmerri fsheh pasuritë e që prej 5 muajsh fle tek Dash Peza dhe 7 muaj tek halla apo te tezja, se deklarohet i pastrehë pasi ka ndërtuar qyteza me mbi 54 pallate, akuzon familjarët e Kryeministrit për të ardhurat e tyre, të deklaruara në çdo qindarkë të tyre në institucionet e vendit.
Partia Demokratike garanton zotin Rama se ai mund të gënjejë vetveten, se ka fshehur pasuritë e qytezave të ndërtuara me Fidelët e tij, apo se është i pastrehë, por kurrë nuk do të mund të gënjejë shqiptarët për bllokimin që po i bën statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”, vlerësoi Bardhi.
Në gjykimin e selisë blu, Rama në betejën qesharake të maskimit të vendimit të tij antikombëtar dhe antishqiptar të bllokimit të statusit të vendit kandidat për llogari të atyre që nuk duan kurrë integrimin e Shqipërisë në Europë, ka angazhuar me shtrëngim zëdhënës të akuzuar për trafiqe droge, prostitucioni dhe larje parash të pista të cilët i fshihen si minj organeve të drejtësisë që i kanë nën gjykim për shpifje dhe vepra të tjera penale.