E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama të bëjë transparencë mbi shëndetin e grevistëve


Partia Demokratike i kërkoi sot kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të bëjë transparencë mbi gjendjen shëndetësore të pjesëmarrësve në grevën e urisë.
"PD i kërkon z.Rama të lejojë ekipet zyrtare shëndetësore të kontrollojnë shëndetin e grevistëve dhe të mos ketë frikë nga transparenca e gjendjes shëndetësore të tyre, sikundër paralajmëron se për çdo cenim të shëndetit të grevistëve përgjegjësia ligjore do të jetë e tij", thuhet në deklaratën e sotme për shtyp të zëdhënëses së PD-së, Erla Mëhilli.

Sipas deklaratës, Edi Rama dhe Gramoz Ruçi vazhdojnë të bllokojnë shërbimin zyrtar shëndetësor për grevistët. "Me këtë qëndrim Rama po shkel rëndë jo vetëm ligjet e vendit dhe Kushtetutën, e cila u garanton shërbim shëndetësor gjithë qytetarëve në nevojë, por po shkel njëkohësisht Konventat e Gjenevës dhe Vendimet e Gjykatës së Strasburgut mbi çështjet e grevës së urisë dhe të burgosurve", thuhet më tej në deklaratën e Partisë Demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›