E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshje kulturore, Berisha takon ministrin e Kulturës të Kosovës

Kryeministri Sali Berisha takoi dje ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës, Lutfi Haziri. Kreu i Ministrisë së Kulturës të Kosovës i dhuroi Berishës në mënyrë simbolike deklaratën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në një pergamenë duke i shprehur atij falënderimin për kontributin e madh që ka dhënë për pavarësinë e Kosovës e gjithashtu për ruajtjen dhe mbrojtjen e etnokulturës dhe gjuhës sonë kombëtare në të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët. Sot jemi mjaft të kënaqur sepse kemi nënshkruar programin e bashkëpunimit kulturor për vitet 2010-2012 me Ministrinë e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë. Kjo marrëveshje do ti shërbejë nxitjes së bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore të dy vendeve të të njëjtit popull. Për këtë arsye ne do të jemi mbartësit, por edhe gardianët e këtij programi të përbashkët, - tha Haziri. Duke i uruar për arritjen e marrëveshjes, Kryeministri Berisha deklaroi se është një shans i madh për kulturën tonë kombëtare, që në dobi të saj punojnë së bashku dy administrata. Ai theksoi se Shqipëria është në fazën e një reforme të thellë për të ngritur nivelin e institucioneve kulturore në nivelin e kërkesave të menaxhimit evropian të monumenteve, muzeve dhe projekteve të zhvillimit kulturor kombëtar. Po dje, Haziri zhvilloi një takim dhe me Presidentin Bamir Topi dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Duke rikonfirmuar mbështetjen maksimale për institucionet e Republikës së Kosovës, Meta nënvizoi se Shqipëria mbështet përkushtimin dhe angazhimin e autoriteteve zyrtare për të bashkëpunuar me praninë ndërkombëtare në Kosovë, me synim konsolidimin e shtetit, forcimin e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›