E Enjte, 5 Nëntor 2026

PD: Rënie drastike e numrit të të diplomuarve në mësuesi

TIRANË, 27 maj/ATSH/ Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina, duke iu referuar të dhënave të INSTAT, ngre shqetësimin për rënien e numrit të diplomuarve në degët e mësuesisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Karabina shprehet se ka mungesa të mësuesve të matematikës në disa qytete të vendit përfshirë dhe Tiranën, ndërsa ekziston rreziku i mbylljes së kësaj dege dhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë.

“Të dhëna të INSTAT tregojnë se degët universitare që lidhen me prodhimin e mësuesve janë në krizë. Në vitin 2022 u shpërndanë vetëm 341 diploma në degët e arsimit nga 1613 të tilla që u dhanë në vitin 2015, pra me rënie 79%”, shkruan Karabina.

“Mungesa sot e mësuesve të matematikës në disa qytete të vendit përfshirë dhe Tiranën, rreziku i mbylljes së kësaj dege dhe në Fakultetin e Shkencave të Tiranës, mbetja bosh e kuotave të degëve mësuesisë në nivelin 70-80% për vitin 2023-2024 në degët, Matematikë, Fizikë, Gjuhë -Letërsi, Biologji, Filozofi është një klithmë alarmi se jemi para kolapsit të sistemit të mësuesisë”, vijon Karabina.

” Rama dhe qeveria e tij mashtrojnë dhe gënjejnë çdo ditë mësuesit vetë, nxënësit, prindërit dhe familjet shqiptare përmes: vendimeve propagandistike për degë prioritare si mësuesia dhe pa rezultat pasi as numri i mësuesve dhe cilësia e tyre nuk u rritet; portalit të rrejshëm e diskriminues të punësimit “Mësues për Shqipërinë” ku mësuesit i duhet të jetë partiak që të plotësojë kriteret; trajnimeve fiktive digjitale të mësuesve pse jo dhe korruptive ndërkohë që në shkolla nuk ka as kompjutera dhe rrjet interneti; premtimit për rritje page për mësuesin dhe prej 11 vitesh nuk arrin kufijtë e një rroge mesatare për të jetuar me dinjitet e të tjera e të tjera mashtrime, ku secili nga aktorët i prek dhe i vuan çdo ditë”, u shpreh ajo.

Karabina shtoi se “Universitetet Rajonale të Elbasanit, Shkodrës, Gjirokastrës të profilizuar në mësuesi dhe me traditë dhjetëravjeçare dhe që kanë prodhuar mësues për gjithë trevat shqiptare, sot po shkojnë drejt mbylljes për shkak të mungesës totale të politikave mbështetëse dhe motivuese në këto degë, dhe nga qendra shkencore këto universitete po kthehen në qendra kursesh profesionale për mbijetesë. Mungesa e mësuesve dhe cilësia e dobët e tyre janë një shuplakë dhe demaskim i propagandës së qeverisë 11-vjeçare të Edi Ramës, me kosto të lartë për shoqërinë shqiptare”.

“Partia Demokratike e Shqipërisë duke analizuar këtë situatë në të cilën ndodhet mësuesia dhe i gjithë sistemi arsimor ka një program të qartë dhe ambicioz për të dalë nga kjo gjendje. Përmes investimit në formimin universitar të mësuesve dhe zhvillimit profesional të tyre, infrastrukturës shkollore dhe pedagogjike që të përmbushë objektivat arsimorë, vlerësimit financiar të punës së mësuesve për një jetë të mirë dhe me dinjitet, Partia Demokratike do ta fusë në shina dhe do të mundësojë jo vetëm daljen nga kriza të mësuesisë dhe arsimit, por dhe kthimin në normalitet dhe hapje rrugë të zhvillimit të sistemit arsimor në tërësi”, përfundoi Karabina.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›