E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rezoluta antikorrupsion, Açka: Veprimet nuk iu përputhen me fjalët

TIRANË, 27 maj/ATSH/ Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Flutura Açka reagoi sot për rezolutën antikorrupsion të Partisë Socialiste e cila u miratua sot në Kuvend.

Ndërsa e cilësoi këtë rezolutë hipokrite, Açka ngriti pikëpyetje për propozuesit, pasi sipas saj, “do të luftojnë korrupsionin ata që shkatërruan pragun e SPAK me amnistinë penale”.

“Nuk ka moral te njerëzit, të cilëve veprimet nuk iu përputhen me fjalët. Këta do të luftojnë korrupsionin?! Ky njeri që ka dhunuar krejtësisht institucionin e Parlamentit me të gjitha format, manipulimet, shpërdorimet, korruptimet që ia jep pushteti, do të luftojë korrupsionin?! Këta që tashmë kanë një grup më vete parlamentar në burg, që nuk mbajtën asnjë përgjegjësi për hienat e tyre të korruptuara, do të luftojnë korrupsionin?!
Këta që në këto tre vite kaluan ligje nominale për miqtë e tyre, kaluan buxhetin e vitit 2024 për 8 minuta, që kafshuan me ligje zonat e mbrojtura, do të luftojnë korrupsionin?!
Këta që shkatërruan pragun e SPAK-ut me ligjin e Amnistisë Penale, do të luftojnë korrupsionin?!”, u shpreh Açka.

Sipas saj, “nëse kjo do të ishte një rezolutë e drejtë, e moralshme, e vërtetë, e besueshme sot në Parlament do të kishte së paku një ambasador të Europës duke dëgjuar në llozhë”.

/m.m/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›