E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Skafo-republika s’do kthehet kurrë, deputetët e PS të lidhur me interesat e mafies

27-05-2012 / Gazeta 55

Partia Demokratike përshëndet operacionet e forcave policisë në Shqipëri dhe Itali, që prangosën 32 anëtarë të një bande të madhe të trafikut të drogës

UPDATE- Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi u shpreh sot gjatë një deklarate për shtyp, se arrestimet e një dite më parë në Shqipëri dhe Itali, të një bande të trafikut të drogës, tregojnë qartë se heqja e moratoriumit të skafeve do ta rikthejë Shqipërinë në skafo-republikë. Duke marrë shkas nga nisma e një grupi deputetësh socialistë, të cilët insistojnë për heqjen e barrierës ligjore që pengon qarkullimin e mjeteve lundruese (skafe), në bregdetin shqiptar, zëdhënësja e selisë blu tha se ligjvënësit socialistë mbrojnë interesat e mafies së trafiqeve të drogës me të cilët ndajnë fitime. “Dje forcat e rendit në Shqipëri dhe Itali vendosën para ligjit rreth 32 anëtarë shqiptarë dhe italianë të një bande të madhe dhe tejet të rrezikshme të mafies së trafikut të drogës, si dhe konfiskoi skafin dhe mjete të tjera të organizatës së tyre të krimit të organizuar. Partia Demokratike përshëndet këtë operacion të përbashkët të suksesshëm të forcave të rendit dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit të dy vendeve tona, si dëshmi tjetër e bashkëpunimit të shkëlqyer që ekziston midis tyre. Partia Demokratike me këtë rast informon shqiptarët se skafo - deputet në Parlamentin shqiptar me porosi dhe në interesa direkte të Mafies së trafiqeve të drogës me të cilën ndajnë me sa duket fitimet, kanë marrë nismën për të anuluar moratoriumin e ndalimit të skafeve”- u shpreh Bardhi.
Ajo deklaroi gjithashtu se “Partia Demokratike denoncon këtë nismë të skafo-deputetëve që duan të shndërrojnë Shqipërinë në skafo-republikë vetëm e vetëm për pasurimin e tyre me paratë e drogës dhe trafiqeve të tjera kriminale dhe që kërcënon interesin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në Europë”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›