Haraçi të cilit PS-ja s’i shpëton dot
Me ndryshimet Kushtetuese të 21 prillit të 2008, lideri i opozitës me pretendimin se do të fitonte zgjedhjet parlamentare të 2009, mendoi do të kishte dorë të lirë për të zgjedhur presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë, në 2012, me 71 vota pas raundit të tretë nga pesë gjithsej. Kjo dëshirë e gjithëpushtetshme e kreut të opozitës, Edi Rama, për të pasur dorë të lirë u kthyen, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, në një dorë-lidhje, në një vetëprangosje për të ardhmen. Për dy vite u përpoq t’i zgjidhte duart me forcimin e rregullave demokratike duke u bërë bojkot institucioneve kushtetuese, bëri bojkot parlamentar, bëri protesta, beri bllokim rrugësh, bëri grevë urie, bëri demonstrata e 21 janarin. Të gjitha këto sipërmarrje radikale sollën lodhjen e qytetarëve me Ramën dhe kjo u reflektua në mënyrë plebishitare në zgjedhjet lokale.
Afërmendsh me afrimin e ditëve të zgjedhjes së presidenti të ri, u pendua, publikisht, për dëshirën e ethshme që kish pasur për pushtet total e totalitariste me ndryshimet kushtetuese. Pendimin për gabimin e bëri në një emision televiziv, me fjalët: “Të pendohesh do të thotë të kesh bërë një mëkat, të reflektosh do të thotë se ke bërë një gabim”. Për shlyerje të mëkateve janë klerikët e besimeve fetare, për shpagimet e gabimeve janë politikanët e reflektimeve të mangëta.
Mirëpo për çdo gabim që bëhet, duhet të paguhet një haraç, sado i vogël qoftë gabimi. Kështu na ka mësuar historia e njerëzimit. Nga gabimet mësohet. Në këtë rast, “gabimi” nëse mund të quhet kështu ka një haraç, që është përjashtimi i Partinë Socialiste nga gara për të propozuar një president nga e saj.
Ndërkohë, kreu i PS refuzon ta paguajë këtë “gabim” me fjalët se “gabimi” na qenka i përbashkët me Partinë Demokratike, e cila sipas Ramës, duhet të përjashtojë PD-në jo vetëm nga propozimi i një kandidati, por edhe nga zgjedhja e një presidenti nga e djathta. “Ne nuk mund të pranojmë si një figurë për president asnjë nga figurat e PD-së, sepse kështu nuk kemi proces të mundshëm të dakortësuar” - theksoi Rama, gjatë një interviste në studion e emisionit “Opinion” të Blendi Fevziut. Në këtë mënyrë, Rama, duarlidhur, kërkon të lidhë duart e kreut të maxhorancës Berisha me pranga morale: “Duam një President të paanshëm për zgjedhjet e ardhshme. Nuk pranojmë asnjë kandidat nga Partia Demokratike. Dhe nuk synojmë të imponojmë asnjë emër nga Partia Socialiste”. Sigurisht në maratonën e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, ai që i ka duart e lidhura, ecën më ngadalë se të gjithë të tjerët. Nuk mund të vraposh kur i ke duart e lidhura.
Gjithashtu, loja e Ramës për të përçarë maxhorancën për të sunduar më pas, sipas taktikës përça e sundo, duke takuar aleatin më të madh të PD-së kreun e LSI-së, është e kuptueshme për pozicionin dëshpërues në të cilën gjendet kreu i opozitës. Me lutje apo përgjërime ndaj Ilir Metës, Rama kërkoi t’i lidhte duart kryeministrit Berisha. Por edhe kësaj radhe tregoi se është një amator i vërtetë i lojës politike. Përkundër, kryeministri Berisha, falë përvojës shumëvjeçare, tregoi se është shumë hapa përpara lideri të opozitës.
Takimi i parë, mes kreut të PD dhe kreut të LSI-së, si dhe partive të tjera në qeveri, dëfteu një “dakordësi” të maxhorancës për procesin e zgjedhjes së presidentit. Konsultimet e shefit të maxhorancës, Sali Berisha, me krerët e partive aleate, Ilir Meta, Fatmir Mediu e Shpëtim Idrizi, prodhuan një gjatësi vale, më saktë një “përputhshmëri” politike, e cila do të respektohet deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në këtë mënyrë, heshtën të gjithë supozimet mediatike, për të zgjedhje të parakohshme, që nuk i kërkon asnjëri në të vërtetë. “Zërat” nga poshtë-lart për zgjedhje të parakohshme janë thjesht kuisje të pozicioneve të minorancës radikale brenda së majtës. Partia Socialiste, me shumë se kushdo parti tjetër opozitare, është e vetëdijshme për mangësitë e saj në propozime, ide dhe alternativa qeverisëse.
Sidoqoftë, në shahun presidencial, ndryshe nga shumë lojëra politike, nuk bazohet tek fati, por tek aftësia për të parashikuar hapjen e kundërshtarit dhe planifikuar lëvizjet fituese. Një gjë është e sigurt, Rama është një lëvizje prapa, ka harxhuar shumë ushtarë dhe oficerë dhe ka pak mundësi strategjike.