E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Të heqim imunitetin siç bënë dje deputetët sllovakë. Qytetarët po e presin me padurim këtë gjë

Partia Demokratike i bëri sërish thirrje opozitës që të votojë për heqjen e imunitetit, duke ndjekur shembullin e Sllovakisë.

Dje deputetët e Sllovakisë në një votim historik konsensual, shembën me votën e tyre të guximshme murin e imunitetit që i ndante ata nga qytetarët e vendit të tyre. Partia Demokratike duke përshëndetur këtë akt historik të parlamentarëve të këtij vendi mik, që qeveriset nga një koalicion i qendrës së majtë, fton edhe një herë z. Rama që si dëshmi që se pranon barazinë para ligjit të qytetarëve shqiptarë, të ndjekë shembullin e  së  majtës sllovake dhe të votojë më datën 6 gusht, me konsensus, projektligjin për heqjen e imunitetit në të cilin janë marrë parasysh dhe janë përfshirë të gjitha kërkesat dhe propozimet e përfaqësuesve të Partisë Socialiste, tha zëdhënësja e PD.

Sipas saj, heqjen e imunitetit e presin me padurim qytetarët.

Rrëzimin e murit të imunitetit më datë 6 gusht e presin me padurim të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake, sepse ata duan barazinë para ligjit.

Ata nuk duan që qeveritarët, deputetët, gjykatësit, zyrtarët e tyre të lartë  të mbrohen nga imuniteti për vepra penale për të cilat qytetarët e thjeshtë, fëmijët e tyre, përballen çdo ditë me ligjin dhe ndëshkimin ligjor.

Partia Demokratike përsëriti sërish se është një klub miliarderësh në PS, që pengon heqjen e imunitetit.

Qytetaret e këtij vendi dhe miqtë e tyre kudo në botë, presin me padurim që ligjvënësit shqiptarë të votojnë më datën 6 gusht për një Shqipëri që përmbush me dinjitet detyrimet për marrjen e statusit të vendit kandidat. Shqiptarët në Shqipëri dhe kudo në bote presin nga ta që të votojnë me 6 gusht për heqjen e imunitetit dhe të mos pranojnë kurrsesi që procesi i Integrimit Europian i Shqipërisë të  mbahet peng nga një klub miliarderesh që për trafiqet e tyre kriminale, kontrabandën, tokat e pushtuara, pallatet pa leje, nuk pranojnë kurrë të heqin dorë nga muri mbrojtës i imunitetit.

Partia Demokratike i bën thirrje z.Rama, të ngrihet mbi interesat e paligjshme të një grupi të vogël miliarderësh në krye të Partisë Socialiste dhe të lejojë deputetët e Partisë Socialiste të votojnë më 6 Gusht për shembjen e murit të korrupsionit, murit të zi që shtyn çdo ditë drejt mjerimit të varfrit e këtij vendi, që thellon çdo ditë pesimizmin dhe dëshpërimin dhe pret shpresat për punësim të të papunëve, që pengon rritjen e merituar të pensioneve  për të moshuarit tanë dhe që jo në pak raste privon qytetarët nga një vendim i drejtë në gjykatat tona.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›