PD: Vendi nuk zhvillohet me artistë e sociologë
Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, në një reagim për konferencën mbi territorin të organizuar nga qeverisja e ardhshme, ka thënë se vendi nuk mund të zhvillohet me artistë e sociologë. Sipas tij, këto shfaqje të Ramës bëhen me qëllimin e shmangies së premtimeve të dhëna nga ai gjatë fushatës elektorale.
Kryesocialisti po vazhdon në rrugën e tij të zbulimit të botës, me ide të çuditshme, duke na dëshmuar se sa kaos ka në mendjen e tij për zhvillimin e vendit.
Habit të madh e të vogël kur pasi shpalli se Shqipërisë i duhen redaktorët e shqipes për të ecur përpara, tani ka zbuluar se në këtë drejtim nevojiten dhe artistët e sociologët.
Këto janë thjesht bojëra për të mbuluar tablonë e tij të vërtetë, se ai ka ardhur në pushtet për të qeverisur të mirat dhe përfitimet me grupimet e tij dhe biznesmenët që e ndihmuan të vijë në pushtet.
Lypset t’i kujtojmë se fushata zgjedhore ka mbaruar dhe se këto idetë e tij të reja dhe zbulimi që po i bën botës janë të pavend, në mos qesharake.
Kryesocialisti premtoi shëndetësi falas, premtoi heqje të taksës së biznesit të vogël, legalizim falas, dhe ulje të taksës për 95% të shqiptarëve. Njerëzit me të drejtë presin zhvillimin e këtyre ideve e të këtij programi, dhe jo zbulesat e mëdha të z.Rama.
Premtimet elektorale janë marrëveshja që ai ka me qytetarët, dhe ai do të duhet të përballet me këto sfida. Nuk mund ta marrë lehtë me shpikje të fund-gushtit. Qeverisja kërkon seriozitet, dhe kjo nis nga mbajtja e premtimeve, shprehet Bogdani./b.l