PD: Zoti Rama mashtron për krizën ekonomike
Partia Demokratike reagoi pas deklaratës së Erion Braçes, duke i cilësuar mashtrime pretendimet e socialistëve për krizë ekonomike. Zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli tha dje se “PD i deklaron z.Rama se paralajmërimet e tua të përditshme për krizë ekonomike në Shqipëri koha i provoi tërësisht si mashtrime”. “Shqipëria sot është i vetmi vend në Evropë me rritje ekonomike rreth 6% dhe në rast se në shumicën e vendeve të Evropës të ardhurat buxhetore të krahasuara me një vit më parë kanë pësuar ulje të ndjeshme, gjë që i ka detyruar ato t’i ulin rrogat dhe pensionet nga 8 deri në 16%, në Shqipëri të ardhurat buxhetore krahasuar me vitin e kaluar kanë një rritje prej 7% dhe rrogat dhe pensionet jo vetëm që nuk u ulën por u rritën nga 5 deri në 20%. Të përpiqesh të ndjellësh çdo ditë krizë kur ajo nuk ekziston dëshmon se sukseset e vendit tënd i përjeton si katastrofë personale z.Rama”, u shpreh zëdhënësja e Partisë demokratike.