Kodi zgjedhor, partitë e vogla paraqesin skemën
Partitë e vogla kërkojnë ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Kodi i miratuar me konsensus mes socialistëve dhe demokratëve, në fund të 2008-ës, mundi të linte jashtë Parlamentit pjesën dërrmuese të forcave politike, ndërsa reduktoi në maksimum ato që kapërcyen pragun e tij më 28 qershor. Si pasojë të kësaj, dy muaj pas zgjedhjeve, aleatët e demokratëve sërish në qeverisje, lakojnë propozime konkrete për ndryshimet që, sipas tyre duhet të pësojë Kodi Zgjedhor. Edhe partia e re e komunitetit çam, e cila duket se në spektrin e partive të vogla të ketë qenë më e favorizuara nga sistemi proporcional rajonal, kërkon që Kodi të ndryshojë. Partia Demokratike është shprehur e hapur për mundësinë e ndryshimeve në kod, madje si për ironi dhe në kundërvënie të pretendimeve të Partisë Socialiste, Berisha pati deklaruar se ky sistem zgjedhor i hoqi atij mundësinë për të pasur një grup parlamentar më të madh. Nga Partia Socialiste ende nuk ka një qëndrim apo qoftë dhe një përgjigje ndaj aleatëve opozitarë, që gjithashtu kërkojnë ndryshimin e Kodit.