Berisha në Peshkopi: Këtë vit hapim universitetin
PESHKOPI \ HASAN PASHA
Pas inaugurimit të segmentit të dytë të Rrugës së Arbrit, Ura e Vashës - Bulqizë, kryeministri Berisha mori dje pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve për siste-mim asfaltimin e rrugës Ura e Cerenecit – Peshkopi (Maqellarë – Peshkopi ) loti i dytë. Kjo rrugë fillon në Maqellarë dhe lidhet me rrugën e Arbrit, përmes segmentit Ura e Cerenecit – Bllatë. Kryeministri vlerësoi lidhjen e këtij segmenti rrugor me rrugën e Arbrit, për zhvillimin e kësaj zone, duke theksuar se ndërtimi i këtij segmenti është një premtim elektoral i mbajtur i qeverisë. Edhe në Maqellarë, Berisha vlerësoi rrugën më të re në vend kur tha: “Rruga e Arbrit shumëfishon marrëdhëniet tregtare dhe marrëdhëniet e gjithanshme me Maqedoninë mike dhe bën që gjithë portet e Shqipërisë të jenë gjithnjë e më të përzgjedhur e më të përshtatshme për Maqedoninë dhe për Bullgarinë perëndimore. Rruga e Arbrit do të jetë rruga e fluksit të madh turistik”.
Kryeministri vuri në dukje se është në ndërtim e sipër dhe rruga që lidh Peshkopinë me Kukësin. Kjo rrugë lidh Peshkopinë me tregun e Kosovës, me Prizrenin, me Prishtinën, pra hap një perspektivë të madhe zhvillimi për qarkun e Peshkopisë. “Me përfundimin e kësaj rruge dhe të rrugës së Arbrit, Peshkopia do të ketë lidhjet më moderne me Tiranën, Prishtinën, Shkupin”, tha Berisha. Ai premtoi gjithashtu rrugën që bashkon Peshkopinë me Librazhdin. Ndërsa një vëmendje të veçantë, Berisha i vuri zhvillimit të bujqësisë. Kryeministri deklaroi se një tjetër premtim elektoral i mbajtur i qeverisë është çelja këtë vit e universitetit të Peshkopisë. “Shpreh kënaqësinë e madhe që këtë vit do të fillojë në Peshkopi universiteti i Peshkopisë. Edhe ky është një premtim tjetër elektoral. Por ju i meritoni të gjitha premtimet dhe realizimin e tyre, ndaj unë ju jap fjalën se çdo premtim që kam dhënë para jush, do ta shndërroj në realitet”, tha ai.