PD ankesë të re për rivlerësim të votave të gabuara të numëruara nga KQZ
Partia Demokratike shton listën e fletëve të votimit të kontestuara. Bëhet fjalë për ato fletë votimi të gjetura në 117 kutitë e gabuara dhe që pak ditë më parë u numëruan nga KQZ, e cila luante rolin e KZAZ-së së madhe të Tiranës. Kërkesa është bërë nga avokati i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, i cili duke mbrojtur kërkesën për rivlerësim të votave të kontestuara në 26 kutitë e evidentuara, është shprehur se krahas tyre i njëjti proces duhet të përfshijë edhe votat e numëruara dhe kontestuara të gjendura në kutitë e gabuara. “Thelbi i kërkesës sonë është rinumërimi dhe rivlerësimi i të gjitha fletëve të votimit të kontestuara në kutitë për kandidat për kryetar bashkie të Bashkisë së Tiranës, kudo që ato ndodhen. Pra, ne kërkojmë të rivlerësohen të gjitha votat e kontestuara që i përkasin numërimit dhe vlerësimit paraprak që janë bërë nga persona që i kanë numëruar dhe vlerësuar për herë të parë. Kemi bërë të qartë, ashtu siç thamë edhe dje, që kërkojmë të rivlerësohen të gjitha fletët e votimit për kryetar, të cilat u vlerësuan gjatë procesit të numërimit fillestar të bërë nga KQZ, duke vepruar si KZAZ e madhe”, - tha Kaso. Por për socialistët një kërkesë e tillë është një kërkesë e re dhe për rrjedhojë jashtë objektit të hetimit administrativ të kërkuar. Sipas avokatit të socialistëve, Eno Bushi, kërkesa për të shtuar listës dhe fletët e votimit të numëruara nga KQZ është jashtë afateve ligjore dhe për rrjedhojë nuk mund të pranohej për shqyrtim. “Kjo kërkesë nuk mund të pranohet, sepse në radhë të parë është jashtë afateve dhe së dyti jashtë objektit të çështjes. Gjithashtu nuk mund të rivlerësohen për herë të dyta nga i njëjti institucion fletët e votimit të kontestuara”, - tha Eno Bushi. KQZ nuk ka marrë një vendim për pranimin e kësaj kërkese, megjithëse në parim shumica e anëtarëve ishin dakord me logjikën e palës ankimuese. Por para se të kalohet në rivlerësim të këtyre votave, KQZ pritet të marrë një vendim për bashkëngjitjen e këtyre kutive listës së kutive të paraqitura në kërkesë-ankesën.