Votat më 8 maj, sa vlejnë aleatët e Berishës dhe Ramës
Strategjia e përdorur nga Partia Demokratike, për ndërtimin e koalicioneve zgjedhore, rezulton më e suksesshme se ajo e Partisë Socialiste. Aleatët e Kryeministrit Sali Berisha kanë sjellë në “shportën” e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” dy herë më shumë vota sesa aleatët e Edi Ramës te koalicioni “Aleanca për të Ardhmen”. Rezultatet paraprake, ende jo të zyrtarizuara prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, flasin për një total prej 237,914 votash, të mbledhura nga 22 partitë që garuan krah socialistëve në zgjedhjet administrative të 8 Majit. Sakaq, 21 partitë politike aleate të demokratëve kanë mbledhur një numër prej 477,432 votash. Në këto llogaritje nuk janë përfshirë partitë që kanë garuar jashtë koalicioneve si LZHK, PBDNJ, PKSH etj.
Koalicioni i PS
Partia që ka sjellë më shumë produkt në koalicionin e socialistëve është Demokracia Sociale e Paskal Milos, me 53070 vota. Në vendin e dytë pozicionohet Partia Demokristiane e Nard Ndokës, me 47661 vota, ndërsa pas saj rreshtohet Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit, me 43792 vota. Socialistët e vërtetë të Petro Koçit janë të katërtët në listën e aleatëve të selisë rozë, me 23362 vota, ndërsa G99 ka 15160 vota. Një parti që mund të konsiderohet surprizë në këtë renditje është Aleanca Arbnore Kombëtare, që ka marrë 9110 vota duke qenë përpara Partisë së Gjelbër, e cila ka 8415 vota dhe Partisë Ligj dhe Drejtësi të Spartak Ngjelës, që ka 7812 vota. Forcat e tjera politike nuk kanë ndonjë numër të konsiderueshëm votash, ndërsa në tabelë partitë e fundit renditen: Partia e Pajtimit Kombëtar me 824 vota, Partia Toleranca e re e Shqipërisë 699, Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve shqiptar 503 vota, Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë ka 389 vota, ndërsa Partia Demokrate për Integrim dhe Prosperitet 69 vota.
Koalicioni i PD
Lëvizja Socialiste për Integrim është aleati i demokratëve, që ka sjellë më shumë vota në shportën e përbashkët dhe konkretisht 116298 të tilla. Në vendin e dytë renditet Partia Republikane, me 73006 vota. Surprizë është pozicionimi i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, që ka grumbulluar 63024 vota. Lista vazhdon me Partinë Lëvizja e Legalitetit që ka marrë 37015 vota, Partia Aleanca Demokratike me 32646 vota, Partia Agrare Ambientaliste e Shqipërisë me 30355, Partia Bashkimi Liberal Demokrat ka 26675 vota, Partia Balli Kombëtar me 20630 vota dhe Partia Lidhja Demokristiane Shqiptare ka fituar 20022 vota. Partia Balli Kombëtar Demokrat ka mbledhur 15522 vota në këto zgjedhje, ndërsa Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar ka marrë 6687. Partia Aleanca Demokristiane ka marrë 6134 vota, Partia Aleanca Europiane Ekologjike 5226, Partia Demokracia e re Europiane ka 4884, Partia e të Drejtave të Mohuara e re me 3842 vota. Lista mbyllet me renditjen: Partia Ora e Shqipërisë 3257 vota, Partia Aleanca Popullore 3022 vota, Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet 2962 vota, Partia Konservatore 2821 vota, Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian ka marrë 2504 vota dhe e fundit është Partia Personat me Aftësi të Kufizuar që ka marrë 900 vota.