E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë e vogla, rritje votash vetëm PDIU dhe PDS

Zgjedhjet lokale “fryjnë” partitë e vogla, ndërsa votimet parlamentare i “shfryjnë” ato. Ky është konkluzioni i analizës së shifrave në vota të fituara nga disa prej partive kryesore në tre proceset e fundit: zgjedhjet lokale 2007, zgjedhjet parlamentare 2009 dhe votimet e fundit administrative të 8 majit. Në zgjedhjet e vitit 2007, Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë 121.172 vota, por dy vite më pas do të merrte vetëm 73,678 vota. Në votimet e fundit të 8 majit, partia e Ilir Metës ka grumbulluar 116,298 vota. Krahasuar me zgjedhjet e fundit lokale, kjo forcë politike ka humbur afro pesë mijë vota. Partia Republikane ka marrë në zgjedhjet lokale të vitit 2007, 75,730 vota ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare mori 31990 vota. Në këtë proces, partia e Fatmir Mediut ka dalë me 73006 vota, duke shënuar një ulje me 2700 vota, krahasuar me votimet paraprake lokale. Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka marrë në vitin 2007 numrin prej 15,523 votash, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2009 mori 14477 vota. Në votimet e fundit, kjo forcë politike që u krijua nga bashkimi i PDI dhe PDU mori 63024 vota, duke shënuar një rritje me 47501 vota, krahasuar me procesin e 2007-ës. Një trend rritës është vënë re edhe në Partinë Demokracia Sociale të Paskal Milos, e cila në vitin 2007 mori 39390 vota, në votim 2009 mori 10395 ndërsa në zgjedhjet e fundit grumbulloi 53070 vota. Rritja në këtë rast është afro 14 mijë vota, nisur nga zgjedhjet lokale pararendëse. Partia Demokristiane mori në zgjedhjet lokale të vitit 2007 afro 58484 vota, në votimet e vitit 2009 mori 13 308 vota, ndërsa sëfundi doli nga procesi me 47661 vota. Në këtë rast kemi një rënie me 10 823 vota të kësaj partie, nisur nga zgjedhjet e mëparshme lokale. Socialdemokratët e Skënder Gjinushit morën katër vjet më parë 52194 vota, në zgjedhjet parlamentare morën 26700 ndërsa aktualisht kanë marrë 43792 vota. Gjinushi dhe partia e tij kanë humbur 8402 vota, krahasuar me vitin 2007, kur u mbajtën zgjedhjet e fundit lokale. Situatë e njëjtë paraqitet edhe për Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila katër vite më parë mori 49730 vota ndërsa aktualisht ka marrë 40474 vota. D.M.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›