E Enjte, 5 Nëntor 2026

PD ankimon në KAS regjistrimin e kandidatit të PS për Bashkinë Mallakastër, Qerim Ismailaj

Partia Demokratike ka ankimuar në KAS regjistrimin e kandidatit të PS për Bashkinë Mallakstër, Qerim Ismailaj. Për këtë, PD ka dorëzuar zyrtarisht edhe ankimin në KAS, me të cilin pretendon se Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organozuar e ka dënuar me 6 muaj burg Ismailajn, “për falsifikim të dokumentave”.

PD pretendon se, Ismailaj, kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim me 3 vite burg në Greqi për “akte dhune”.

“Situata juridike e shtetasit Qerim Ismail Ismailaj, bie në kushtet e ndalimit të parashikuara në ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. I pandehuri Qerim Ismailaj është dënuar me vendim të formës së prerë me 6 muaj burg, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. Siç shihet dhe nga vendimi i gjykatës, kjo vepër kryehet vetëm me dashje dhe në këto kushte ky shtetas ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar. Vendimi gjyqësor është dhënë nga nje autoritet shqiptar. Vendimi është i formës së prerë, duke nisur nga data 29 Mars 2023. Periudha e rehabilitimi prej 2 vjetësh nuk është ezauruar. Sipas ligjit skadon në 29 Mars 2025.”- thuhet në ankimimin e PD.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›